Shteti mbyll sytë para mishit të skaduar dhe maceve në ETC-në e Ramiz Kelmendit

  • 16 November 2018 - 07:49
Shteti mbyll sytë para mishit të skaduar dhe maceve në ETC-në e Ramiz Kelmendit

Lajçi: Deputeti Ramiz Kelmendi duhet që të japë llogari, por e tërë e keqja është se para kujt të japë llogari. Para kujt? Jo para ligjit, por para Maliqit

"Është për t'u habitur se si inspektorët, në vend se ta kryejnë detyrën sipas ligjit, po paguhen që t'i mbyllin sytë, për të mos i mbyllur hipermarketet e deputetit Ramiz Kelmendi, të cilat po ofrojnë mish me afat të skaduar për qytetarët, bashkë me mace të gjalla. Prandaj e them lirshëm se, ndonëse para ligjit jemi të gjithë njësoj të barabartë, bile këtë shpeshherë e potencojnë edhe pushtetarët tanë, megjithatë në praktikë po ndodh krejtësisht ndryshe", thotë analisti Bislim Aliu për "Kosova Sot" 

Analistët dhe qytetarët alarmojnë se deputeti i Kuvendit të Kosovës, afaristi Ramiz Kelmendi, me dyqanet e tij ELKOS me të madhe po e rrezikon shëndetin e qytetarëve. Ditë më parë në rrjetet sociale u shpërnda fotografia se si në ETC të Pejës qytetarët kanë parë një mace të qëndrojë në sektorin e mishit. Shumë herë të tjera raste të ngjashme janë raportuar dhe madje në hipermarketet e kësaj kompanie mësohet se janë gjetur edhe copëza teli apo qese brenda bukës. Ndaj analistët e kësaj fushe bëjnë akuza në adresë të MTI-së se inspektorët e tyre aspak nuk janë në nivel të detyrës, ngase ata po paguhen që të mbyllin sytë dhe të mos marrin masa ndaj këtyre shkeljeve skandaloze. Me gjithë pyetjet e dërguara në adresë të MTI-së se çka thonë zyrtarët e tyre, se çfarë masash kanë marrë ndaj rrezikimit të shëndetit të qytetarëve që po ua bëjnë hipermarketet e Ramiz Kelmendit, zyrtarët e Zyrës për informim të MTI-së nuk kanë dhënë përgjigjen e tyre për gazetën. Veç saj, përgjigje në pyetjet e dërguara të gazetarit nuk ka dhënë as deputeti Ramiz Kelmendi. Pushtetarët i bëjnë bisht ligjit Ndërsa analisti Bislim Aliu, për gazetën "Kosova Sot", tha se është për t'u habitur se si deputeti Ramiz Kelmendi vazhdimisht po e rrezikon shëndetin e qytetarëve me dyqanet e tij ELKOS."Vlerësimet e mia i konfirmon edhe lajmi i djeshëm për këtë afarist dhe kompani që u dha ditë më parë në rrjetet sociale, ku u shpërnda fotografia, se si në ETC-në e Pejës qytetarët kanë parë një mace duke qëndruar në sektorin e mishit. Mirëpo e keqja është se në raste të ngjashme qytetarët po në hipermarketet e kësaj kompanie janë rrezikuar edhe shumë herë të tjera, ku madje ka pasur raste kur janë gjetur edhe copëza teli apo qese brenda bukës që shitej", u shpreh ai."Është për t'u habitur se si inspektorët në vend se ta kryejnë detyrën sipas ligjit, ata po paguhen që t'i mbyllin sytë, për t'i mos ja mbyllur hipermarketet e deputetit Ramiz Kelmendi, të cilat po ofrojnë mish me afat të skaduar për qytetarët, bashkë me mace të gjalla. Prandaj e them lirshëm se, ndonëse para ligjit jemi të gjithë njësoj të barabartë, bile këtë shpeshherë e potencojnë edhe pushtetarët tanë, megjithatë në praktikë po ndodh krejtësisht ndryshe", vijoi më tej Aliu. Qytetarët ndihen të pasigurt Edhe qytetarët e anketuar thonë se janë tej mase të indinjuar me rrezikimin e shëndetit që po e bën deputeti i Kuvendit të Kosovës, Ramiz Kelmendi, me ELKOS-in e tij. Qytetari Selver Lenjani nga Kamenica, për gazetën "Kosova Sot", thotë se nuk është aspak për t'u çuditur me deputetët tanë se çfarë po i bëjnë këtij populli, sikurse që po vepron deputeti Ramiz Kelmendi, i cili si pronar i ETC-së po i përsërit gabimet fatale me radhë, duke e rrezikuar shëndetin e popullatës."Kohë më parë atje është gjetur mish i importuar me afat të skaduar, kurse tash na del një mace duke u ushqyer në sektorin e mishit në këtë hipermarket", u shpreh ai. "Me këto veprime ky deputet po dëshmon qartazi se falë hipermarketeve të tij jeta e qytetarëve tanë është në rrezik të madh në tërë Republikën e Kosovës nga hipermarketet e ETC-së. Andaj është ironike të thuash, por po e them se në hipermarketet e ETC-së inspektimin e mishit po e bëjnë macet e Ramiz Kelmendit e jo inspektorët sanitarë të Kosovës, që duhet të tregojnë se cilin mish duhet që ta hanë qytetarët tanë e cilin jo. Vallë a nuk është ky një skandal dhe tmerr i paparë i shtetit tonë, prandaj apeloj nga Inspektoratit i shtetit dhe ata të komunave që të dalin nga zyrat e tyre e të kontrollojnë cilësinë e ushqimit që e konsumojmë, sepse jeta e qytetarëve tanë përditë e më shumë tash e 20 vjet po rrezikohet, ngase populli po ha ushqim nga raftet ku po hanë ushqim macet e qentë endacakë. Ky është një tmerr çfarë po bën një deputet i Kuvendit të Kosovës, andaj për mendimin tim shteti duhet që të mbyllë menjëherë të gjitha hipermarketet e ETC-së, sepse kjo çfarë po bën Ramiz Kelmendi është skandaloze dhe e paparë, duke e helmuar qëllimshëm popullin e vet me ushqime të skaduara dhe me sëmundje të ndryshme", ka thënë Lenjani."E them lirshëm se inspektorët e Kosovës, që janë përgjegjës për cilësinë e ushqimit që importohet, marrin paga së koti e madje ata dyshohet se paguhen edhe nga Ramiz Kelmendi që me para po i detyron inspektorët e MTIsë të mbyllin sytë para këtyre skandaleve", ka theksuar ai. Ndërsa qytetari nga Prishtina, Hakif Hamiti, për gazetën "Kosova Sot", thotë se ky rasti skandaloz i deputetit Ramiz Kelmendi me shokë nuk është as i pari e as i fundit, sepse këta njerëz të sojit të Ramiz Kelmendit, që e kanë kapur korrupsionin, janë të lidhur me krerët e shtetit ndaj po na ndodhin gjëra të tilla nga deputetë të Kuvendit. "Ai në këtë post ka ardhur që ta mbrojnë biznesin e vet të pistë dhe sikur një aferë e tillë të ndodhë në Perëndim një deputet i tillë do të shkarkohej menjëherë nga ky post dhe veç saj do t'i mbyllej menjëherë biznesi aq më tepër kur bëhet fjalë për një biznesmen recidivist me afera. Ngase i njëjti njëherë u zu me pelë për dore me mishin e tij me afat të skaduar, me importe mallrash nga Serbia, nga linjat e veçanta, kurse tash edhe me mace në hipermarkete", theksoi ai."Hapi i parë që duhet bërë shteti ynë është ndjekja penale e zotit Ramiz Kelmendi e më pastaj mbyllja imediate e hipermarketeve të tij. Sepse fajtore janë hipermarketet e tij anekënd Kosovës, që po i helmojnë njerëzit tanë dhe pikërisht për këto pasoja është rritur numri i të sëmurëve me kancer e sëmundje të tjera", vlerëson Hamiti. Sipas tij, në këto hipermarkete bëhet marifeti i ndërrimit të datave të aftit të skadimit të mallrave.

LAJÇI: EDHE RAMIZ KELMENDI EDHE BEHGJET PACOLLI JANË MATRAPAZË! Deputeti i Kuvendit të Kosovës, Ali Lajçi, për gazetën "Kosova Sot" thotë se nuk ka dyshim se këto kompani, sikurse ETC-ja, me pronarin e saj dhe disa kompani të tjera janë mbi ligjin, ngase ato kompani kanë participuar në korrupsion së bashku me këtë klikë udhëheqëse dhe këto grupe dhe klane korruptive deri në palcë. "Këta e sundojnë njëritjetrin andaj këto kompani e kanë pushtetin duke ia përshtatur vetes ligjet në dobi të përfitimeve të kontrabandës së fitimeve dhe mund të themi lirshëm se gjithçka që ndodh këtu bëhet për t'ia përshtatur vetes përfitimet", u shpreh ai."Edhe ky rast i tanishëm i Ramiz Kelmendit, por edhe ai i mëhershmi me mishin e importuar me afat të skaduar, na tregon qartë për një papërgjegjësi të madhe institucionale që mbretëron te ne. Ngase aq më tepër këtu bëhet fjalë për një deputet të Kuvendit të Kosovës, ndonëse duhet me qenë realë se këta tregtarë, Kelmendi dhe Pacolli, me Devollët kanë pasur suksese në tregtinë e tyre të shitblerjes, por jo edhe në bërje të shtetit, pasi që të dy, edhe Ramiz Kelmendi edhe Behgjet Pacolli janë matrapazë. Porse pa asnjë dyshim se deputeti Ramiz Kelmendi duhet që të japë llogari, por e tërë e keqja është se para kujt të japë llogari. Para kujt? Jo para ligjit, por para Maliqit", theksoi më tej Lajçi."Andaj që të bëhet diçka në këtë kohë kjo nuk guxon që të ndodhë, por e keqja është se këto struktura i kanë nën komandë edhe Inspektoratin e MTI-së dhe të gjitha institucionet e tjera që punojnë në disfavor të qytetarëve, por në favor të interesave të veta. Andaj e vetmja zgjedhje dhe shpëtimi i vendit pas 20 vitesh të sundimit të tyre është largimi nga pushteti i kësaj kaste të brishtë të këtyre sundimtarëve", potencon ai.

XANI: KONTAMINIMI I MISHIT NGA MACET PARAQET PROBLEM SHUMË SERIOZ PËR SHËNDETIN PUBLIK Specialisti i fushës së ushqimit, eksperti Milazim Xani, dikur shef i kontrollit të pikëve kufitare për shërbimin fitosanitar në AUVK, për gazetën "Kosova Sot", thotë se kontaminimi i mishit nga macet paraqet problem shumë serioz për shëndetin publik."Sepse nga ky kontaminim përhapen shumë sëmundje, siç është salmoneloza. Ndryshe salmoneloza është një sëmundje infektive zonotike. Njerëzit infektohen nga ngrënia e ushqimeve të kontaminuara nga macet, minjtë etj. Sëmundja manifestohet me diarre, dhembje stomaku, të vjella, marramendje dhe temperaturë. Ndërsa, leptospiroza është një sëmundje infektive zonotike që përhapet nga macet dhe qentë tek njerëzit, njihet me emrin verdhëza ( sarillaku), duke shkaktuar anemi të rëndë", shpjegoi ai. "Pasteurela multocida është një baktere që gjendet në gojën e maceve dhe infeksioni me këtë lloj të bakterit shkakton infeksion te valvuleve të zemrës. Një problem shumë serioz e paraqesin edhe sëmundjet virale, siç është tërbimi. Virusi i tërbimit gjithashtu gjendet në gojën e maceve të infektuara dhe shumë sëmundje parazitare, siç është zgjeba trikofitoza", vijoi më tej Xani. "Kontrolli i ushqimit në Republikën e Kosovës është një problem shqetësues, i cili edhe pas shumë viteve vazhdon të mbetet i pazgjidhur në mes të institucioneve shtetërore, AUVK, MTI, dhe Inspektorateve Komunale, të cilat janë kompetente për kontroll dhe cilësi të ushqimit. Si pasojë e kësaj është numri i pamjaftueshëm i inspektorëve dhe si shembull duhet të merret regjioni i Prishtinës që mbulohet vetëm me një inspektor, kurse 80 për qind e komunave të Kosovës nuk kanë fare inspektorë regjionalë", ka shtuar më tutje ai. "Një problem tjetër, shumë shqetësues, është malli i importuar në Republikën e Kosovës nga shtetet e regjionit, që kalon nga pikat kufitare (Serbia), i cili shtet nuk posedon certifikata (fitosanitare dhe veterinare), të cilat e vërtetojnë cilësinë e produkteve. Gjithashtu problem tjetër shqetësues është edhe mosanalizimi i këtyre mallrave në laboratorët e akredituar , ngase numri i marrjes së mostrave është shumë i vogël dhe marrja e tyre nuk bëhet konform standardeve", u shpreh Milazim Xani, shef i kontrollit të pikëve kufitare për shërbimin fitosanitar në

AUVK. HALIMI: RAMIZ KELMENDI PËR VITE TË TËRA, QË NGA PASLUFTA, KA SHITUR MISH TË IMPORTUAR ME AFAT TË SKADUAR Ndërsa eksperti i ekonomisë, Sejdi Halimi, për gazetën "Kosova Sot" thotë se këto raste, sikurse ky skandali i Ramiz Kelmendit, janë skandale të papara."Ngase këtu bëhet fjalë për një person recidivist, që vazhdimisht po ka afera në hipermarketet e veta. Prandaj, shteti duhet që të reagojë menjëherë duke e gjobitur atë përmes shqiptimit të dënimit të menjëhershëm, por edhe marrjes së mandatit të deputetit dhe ndalimit të shkurtimit të kësaj veprimtarie. Ngase vetëm me këto masa mund të vetëdijesohet Ramiz Kelmendi", potencoi ai. "Askush nuk do të harrojë se si Ramiz Kelmendi për vite të tëra që nga paslufta ka shituar mish të importuar me afat të skaduar dhe i njëjti si po duket është me mision i porositur nga Serbia, ngase atje po prodhohen mallra të kategorisë 'Zhl', që as qentë nuk i hanë e lëre më njerëzit, vetëm për kompaninë e Ramiz Kelmendit. Andaj shteti dhe prokuroria duhet që të fillojnë me masat penale", ka theksuar ai. "Me arrestimin e tij do të ndërpritej edhe helmimi i kësaj popullate. Veç saj, e them pa asnjë dyshim se afaristit Ramiz Kelmendi duhet që t'i ndërpritet veprimtaria e menjëhershme. Sepse soji i tij i blen me para inspektorët, drejtësinë, andaj për momentin nuk ka gjykata në Kosovë që i dënon sojin e Ramiz Kelmendit", vlerësoi Sejdi Halimi për "Kosova Sot"

(Kosova Sot)