Krasniqi godet Brnabiqin: Si duket i vjen keq që Millosheviqi nuk arriti t'i vrasë të gjithë shqiptarët për të krijuar Serbinë e Madhe

  • 16 November 2018 - 10:25
Krasniqi godet Brnabiqin: Si duket i vjen keq që Millosheviqi nuk arriti t'i vrasë të gjithë shqiptarët për të krijuar Serbinë e Madhe

Sipas asaj që më 15 nëntor raportuan mediet tona, kryeministrja serbe Brnabiq nuk e di apo nuk do ta dijë se çka është gjenocidi. Sipas saj: “Gjenocidi është kur ju jeni… duke vrarë gjithë popullsinë, gratë, fëmijët dhe kjo nuk ka ndodhur”.

Si po duket asaj nuk po i mjaftojnë, pse politika serbe nuk ka arritur ti vranë të gjithë boshnjakët në Bosnje e Hercegovinë, të gjithë shqiptarët në Kosovë e kroatet në Kroaci e që pastaj udhëheqësit e Beogradit ta quanin gjenocid. Të thuhet se ajo nuk e dinë se çka është gjenocidi, është vështirë të besohet, por edhe kjo si shefi i saj, Presidenti Vuçiq, i vije keq pse regjimi i Millosheviqit, nuk e ka realizuar planin e tij për t’i vrarë të gjithë, burrat, grat e fëmijët boshnjak, shqiptarë e kroatë për të krijuar Serbinë e Madhe. Se vetëm nëse do të ndodhte kjo, shuarje e këtyre tre kombeve, Bernabiq e shefi i saj Vuçiqi do ta quanin gjenocid?! 

Sipas të gjitha gjasave kështu mendojnë gjithë zyrtarët e Serbisë “demokratike” edhe sot e kësaj dite. Kjo deklaratë e Kryeministres serbe është e frikshme se po thuhet në kontinentin që krenohet më vlerat e saja të konsoliduara për liritë e të drejtat e njeriut. Se po thuhet në një vend i cili ka shkaktuar tri luftëra e gjenocide, për të cilat nuk po gjejnë forcë as ta pranojnë as të bëjnë një kërkim falje formale dhe as të ndërtojnë raporte të reja komunikimi e bashkëpunimi me kombet që u ka shumë borxhe. Frika është akoma më e madhe pasi as politikat e kombeve që jetuan gjenocidin (veçmas shqiptarët) e as fuqitë botërore që duhet ta garantojnë paqen e sigurinë në Botë, madje as vendet që kanë kundërshtuar politikat e gjenocidit serb, nuk janë këmbëngulëse për të dënuar gjenocidin serb në Kosovë, Bosnje e Hercegovinë e Kroaci. Përkundrazi, qytetarët e Kosovës, më pak se dy milion, janë të vetmit në ketë pjesë të Europës që i kanë getoizuar!

Në fakt, nuk ka gjë më të lehtë se sa cilido njeri i arsimuar, me arsim mesatar për ta gjetur në google se çka është gjenocidi. Po, Kryeministrja serbe as që donë të lodhet për të kuptuar se “Gjenocidi është vrasja e qëllimshme e njerëzve në baza etnike, nacionale, racore, religjioze apo (nganjëherë) politike, si dhe veprime tjera të qëllimshme që shpijnë në eliminimin e tërësishëm ose të pjesërishëm fizik të ndonjë kategorie të mësipërme”.

Për të gjithë ata qeveritarë të kontinentit të vjetër – Europës e veçmas të Ballkanit po sjelli disa mendime e vlerësime për gjenocidin. E gjithë kjo histori është e pas Luftës së Dytë Botërore. Sigurisht kjo dije nuk vlen vetëm për qeveritarët e shtetit që ka ushtruar gjenocidin, por edhe qeveritarët e kombeve që e kanë jetuar gjenocidin e Serbisë, sigurisht jo vetëm të Serbisë së Millosheviqit. Për ketë argumentet i keni në vazhdim:

Ja çka Lamkin tha rreth definicionit të “gjenocidit” në miratimin e tij fillestar si ligj ndërkombëtar në Kongreset e Gjenevës: “Në përgjithësi, gjenocid nuk do të thotë shkatërrimi i menjëhershëm i një kombi, përveç kur mbërrihet nga vrasja masive e të gjithë anëtarëve të një kombi. Përkundrazi ka për qëllim të nënkuptoj një plan të koordinuar të veprimeve të ndryshme me qëllim të shkatërrimit të bazave thelbësore të jetesë së grupeve kombëtare, me qëllim të shkatërrimit të vetë grupeve. Objektivë i një plani të tillë do të ishte shpërbërja e institucioneve politike dhe social, kulturës, gjuhës, ndjenjave kombëtare, religjionit, dhe mbijetesës ekonomike të grupeve kombëtare, dhe shkatërrimit të sigurisë personale, lirisë, shëndetësisë, dinjitetit, e madje edhe jetët e individëve që i takojnë grupeve të tilla”. / Raphael Lemkin, *Axis Rule in Occupied Europe (Wash., D.C.: Carnegie Endoëment for International Peace, 1944), p. 79./ https://sq.wikipedia.org/wiki/Gjenocidi/ Kështu si po e përshkruan Lamkin, një politikë të tillë, Serbia në Kosovë e ka ndjekur pas Luftës së Dytë Botërore e sidomos nga viti 1981 – 1999. Dhe kjo është e ditur nga e gjithë Bota.

Konventa e Gjenevës (në nenin 2) definon gjenocidin si "cilëndo nga veprat në vazhdim kryer me qëllim të shkatërrimit të tërësishëm ose të pjesërishme të një grupi kombëtar, etnik, racor, ose religjioz: si:"

(a) Vrasjen e anëtarëve të grupit;

(b) Lëndim serioz trupor apo mental të anëtarëve të grupit;

(c) Shkaktim të qëllimshëm të kushteve jetësore llogaritur të sjellin shkatërrim të pjesshëm apo të plotë fizik;

(d) Marrja e masave për të ndaluar lindjet brenda grupit;

(e) Transferimi me dhunë i fëmijëve nga një grup në tjetrin”.

Sipas Dr. Gregory Stanton, President i Genocide Watch, gjenocidi zhvillohet në tetë faza:

1.    “Klasifikimi: njerëzit ndahen në "ne dhe ata".

2.    Simbolizmi: "Kur të kombinohen me urrejtje, simbolet mund të asociohen mbi anëtarët mosdashjes të grupeve viktima...Për të luftuar simbolizmin, simbolet e urrejtjes mund të ndalohet me ligj … si dhe gjuha e urrejtjes."

3.    Dehumanizimi: "Dehumanizimi mundëson tejkalimin e neverisë normale njerëzore kundër vrasjes."

4.    Organizimi: "Gjenocidi është gjithmonë i organizuar... Forca të veçanta ushtarake apo paramilitare shpesh armatosen dhe trajnohen.... Për të kaluar këtë fazë, anëtarësimi në këto grupe duhet të ndalohet me ligj."

5.    Polarizimi: "Grupet urryese shpërndajnë propagandë polarizuese... Ndalimi i kësaj arrihet nëpërmjet mbrojtjes së udhëheqësve të moderuar ose ndihmesës së grupeve për të drejtat e njeriut..."

6.    Identifikimi: "Viktimat identifikohen dhe ndahen në bazë të identitetit etnik apo religjioz... Në këtë fazë, një alarm i gjenocidit duhet të thirret..."

7.    Asgjësimi: "Në këtë fazë, vetëm intervenimi i shpejtë i armatosur mund ta ndaloj gjenocidin. Zona me të vërtetë të sigurta apo korridore për largimin e refugjatëve duhet të krijohen në mbrojtjen e armatosur ndërkombëtare."

8.   Mohimi: "Autorët e krimit... mohojnë kryerjen e ndonjë krimi... Përgjigja ndaj mohimit është dënimi nga një tribunal ndërkombëtar apo gjyq kombëtar."/ https://sq.wikipedia.org/wiki/Gjenocidi/ I gjithë nenin 2 i Konventës dhe të gjitha fazat e Gregory Stantonit i kemi parë të realizohen nga regjimet serbe dhe shumë prej këtyre formave e fazave të gjenocidit,  politika serbe  as sot e kësaj dite nuk ka hequr dorë as deklarativisht.  

Të gjitha këto forma e faza të gjenocidit, ne shqiptarët i kemi përjetuar që nga vitet 1876/78, është përsëritur në 1913-18 e këndej krejt deri në luftën e fundit 1997/99, kur edhe është arritur kulmi i gjenocidit të planifikuar, organizuar dhe të zbatuar në Kosovë. Kjo ishte edhe arsyeja e ndërhyrjes së Komunitetit Ndërkombëtar dhe të NATO-s. Ketë nuk duhet harruar as ne që i jetuam, as ata që e ushtruan gjenocidin dhe as ata që i panë dhe intervenuan! Këto politika serbe, fillin e kanë të Naçertanja e Garashanini (1844)t, ndërsa në shekullin XX është përsëritur në shumë plane e projekte, e më të fundit janë plani i Qubrilloviqit (1937, 1945), Plani Akademisë Serbe të Shkencave e Arteve (1986) dhe Plani “Patkoi” (1998/99). Serbia e ka edhe planin dy të Akademisë Serbe, për t’i akuzuar të tjerët e mbrojtur vetën. Gjykata Speciale e Hagës për Kosovën është e arritura e saj (e Serbisë)!

Është interesant, vite më parë, zëdhënësja e Tribunalit të Hagës, francezja Florence Hartmann, në librin e saj “Paqja dhe ndëshkimi”, botim i shtëpisë KOHA. 2011, faqe 308/309 ka shkruar: “GJND-ja megjithatë e liroi Serbinë e Millosheviqit  nga përgjegjësia dhe pjesëmarrja në gjenocidin në Serbernicë”. Jo vetëm kaq, autorja vazhdon: “Duke e hequr kështu fajësinë nga Millosheviqi, politikes së tij kriminale dhe të regjimit të tij kjo gjykatë e zuri vendin e Tribunalit. Me lirimin e rrethit të Millosheviqit dhe udhëheqjes serbe nga përgjegjësia për gjenocidin në Serbernicë (Perishiq, Stanishiq, Simatoviq) Tribunali vetë hoqi dorë nga kërkimi i të vërtetës”. Kështu thotë ajo “u çrregulluan faktet e grumbulluara”, që dikush nuk deshi t’i shikoj e as t’i pranojë si dëshmi mirë të konfirmuara! Mbetet enigmë e madhe edhe sot e kësaj dite, pse bota e vlerave demokratike ose cili “njeri” i fuqishëm vendosi që mos  ta dënoi meritueshëm gjenocidin e përsëritur të Serbisë së Millosheviqit?!

Nga kjo që u tha, vijmë në përfundimin se mbamendja më e madhe duhet të jetë e udhëheqësve të popullit shqiptar në përgjithësi pa marrë parasysh se në cilën hapësirë kombëtare qeverisin a sundojnë ata!

"LEKSION PËR GJENOCIDIN PËR QEVERITARËT E VENDEVE BALLKANIKE, E VEÇMAS PËR PRESIDENTIN E KRYEMINISTRËN E SERBISË".

(Kosova Sot)