Ky është i riu nga Podujeva që u vra mbrëmë me breshëri plumbash

  • 16 November 2018 - 11:14
Ky është i riu nga Podujeva që u vra mbrëmë me breshëri plumbash

Mbrëmë në fshatin Surkish të Podujevës, ka mbetur i vrarë një person dhe i plagosur rëndë një tjetër, si shkak i një sulmi me breshëri plumba ndaj tyre.

Vdekjen e tij e ka konfirmuar zëdhënësi i QKUK-së, Shpend Fazliu.

“Njëri ka vdekur, ndërsa tjetri është në gjendje të rëndë në intensiv”, ka thënë Shpend Fazliu.

Insajderi raporton se viktima është 30 vjeçari, Arian Selmani, nga fshati Surkish.

Kurse, i plagosur rëndë ka mbetur daja i tij, djalë i një biznesmeni të suksesshëm në Podujevë.

Ende nuk dihen arsyet e kësaj vrasje, derisa Policia e Kosovës është duke u marrë me rastin

“Rreth orës 22:00, policia ka marrë informatën se në fshatin Surkish të Komunës së Podujevës ka ndodhur një plagosje me armë zjarri. Dy persona janë plagosur nga arma e zjarrit dhe të njejtit janë dërguar për trajtim mjekësor. Policia ka dalë në vendin e ngjarjes dhe ka nisur një hetim lidhur me rastin në fjalë”, ka thënë Agron Borovci.

Policia jep detaje për vrasjen:

Policia e Kosovës ka njoftuar se rasti ka ndodhur mbrëmë rreth orës 22:00, ku ka shkuar policia, duke konstatuar plagosjen e dy personave me armë, njëri prej të cilëve, Arian Selmani, i cili pasi u dërgua në QKUK për trajtim mjekësor, rreth orës 01:00 ka vdekur duke mos mundur t’i përballojë plagët e shkaktuara.

Ky është njoftimi i Policisë:

Mbrëmë rreth orës 22:00, policia ka marrë informacionin se në fshatin Surkish të Podujevës, ka pasur të shtëna me armë zjarri.

Menjëherë pas marrjes së këtij informacioni në vendin e ngjarjes kanë dalë të gjitha njësitet e nevojshme policore, të mbështetura edhe nga njësiti rajonal për hetimin e krimeve si dhe njësitë e tjera për ekzaminim të vendngjarjes.

Me të dalë në vendin e ngjarjes policia ka konstatuar se ka të bëj me plagosje ku nga arma e zjarrit, janë plagosur viktimat:

• A. S , 30 vjeç, mashkull, shtetas Kosovar,

• E. S, 23 vjeç, mashkull, shtetas Kosovar ,

të cilët janë dërguar në QKUK për trajtim mjekësor, mirëpo njëri nga viktimat (A.S), nuk ka mundur t’i përballojë, plagët e shkaktuara nga arma e zjarrit dhe rreth orës 01:00, nga QKUK-ja jemi njoftuar se viktima ka ndërruar jetë.

Aktualisht hetuesit policor, janë duke ndërmarrë një varg veprimesh operative e hetimore, në

përpjekje për të identifikuar personat e dyshuar si dhe për të ndriçuar dhe sqaruar të gjitha

rrethanat që kanë të bëjnë me rastin, i cili është cilësuar si Vrasje e rëndë.

(Kosova Sot)