Lluka: Qeveria vendos në fokus rezervat ujore

  • 16 November 2018 - 12:04
Lluka: Qeveria vendos në fokus rezervat ujore

Ministri i Zhvillimit Ekonomik, Valdrin Lluka, ka treguar se Qeveria e Kosovës ka vendosur që t'i vërë në fokus rezervat ujore të Kosovës.

Ai në një status në Facebook ka thënë se ndër nismat kryesore të aprovuara është fillimi i procedurave për zhvillimin e disa akumuluesve ujorë në vende të ndryshme të Kosovës si dhe shpallja si zona me interes shtetëror të akumuluesve siç janë Ujamni, Batllava, Badovci, Radoniqi dhe Përlepnica.

Ky është statusi i plotë i Llukës:

Gjatë takimit të nëntë të këshillit ndër-ministror për ujëra, aprovuam disa projekte madhore për industrinë e ujit dhe sigurinë nacionale me furnizim me ujë.

Ndër nismat kryesore të aprovuara është fillimi i procedurave për zhvillimin e disa akumuluesve ujor në vende të ndryshme të Kosovës si dhe shpallja si zona me interes shtetëror të akumuluesve siç janë Ujamni, Batllava, Badovci, Radoniqi dhe Përlepnica.

Gjithashtu, u aprovua kërkesa e Ministrisë së Zhvillimit Ekonomik që Ujësjellësi Bifurkacioni në Ferizaj të shëndrohet nga ndërmarrja publike lokale, në atë qëndrore, gjë që mundëson ujë më të sigurtë dhe shërbime më të mira për qytetarët e rajonit të Ferizajit.

Sipas një raporti të Bankës Botërore të publikuar para 2 muaje, Kosova qëndron keq me rezerva ujore për kokë banori, që ka momentalisht rreth 290 m3, në krahasim me rajonin që kanë rreth 700 m3. Nga ana tjetër, për një shtet që konsiderohet që ka disponueshmëri të mjaftueshme të ujit, rezervat ujore për kokë banori duhet të jenë mbi 1700 m2. Pra jemi largë plotësimit të nevojave të sigurisë nacionale me furnizim me ujë, dhe si rezultat, konsolidimi i ujërave dhe investimi në rezerva të reja është jetik për vendin.

(Kosova Sot)