Tahiri: “Drejtësia 2020” do ta përafrojë Kosovën me standardet evropiane në luftën kundër korrupsionit

  • 16 November 2018 - 12:40
Tahiri: “Drejtësia 2020” do ta përafrojë Kosovën me standardet evropiane në luftën kundër korrupsionit

Abelard Tahiri ka marrë pjesë në Konferencën rreth përputhshmërisë së Kosovës me standardet evropiane dhe ndërkombëtare të luftës kundër korrupsionit (LK) dhe parandalimit të pastrimit të parave dhe luftimit të financimit të terrorizmit (PPP/LFT).

Ministri i Drejtësisë, Abelard Tahiri, ka marrë pjesë në Konferencën rreth përputhshmërisë së Kosovës me standardet evropiane dhe ndërkombëtare të luftës kundër korrupsionit (LK) dhe parandalimit të pastrimit të parave dhe luftimit të financimit të terrorizmit (PPP/LFT), organizuar nga Projekti i përbashkët i BE/Këshillit të Evropës kundër Krimit Ekonomik (PECK II).

Ministri Tahiri ka theksuar se lufta kundër korrupsionit, pastrimit të parasë dhe financimit të terrorizmit nënkupton punë të vazhdueshme në ndërmarrjen e një varg masash dhe koordinim institucional mes shumë akterëve të përfshirë në sundimin e së drejtës dhe respektimin e të drejtave dhe lirive të njeriut.

“Të gjitha analizat, përfshirë të gjeturat e Raportit të Progresit dhe ato të Këshillit të Evropës, vlerësojnë se Kosova ka ndërmarrë hapa të vlefshëm në vendosjen e kornizës ligjore dhe mekanizmave institucionalë në përputhje me standardet më të larta ndërkombëtare në luftën kundër korrupsionit, pastrimit të parasë dhe financimit të terrorizmit”, ka theksuar ministri.

Për të fuqizuar luftimin e korrupsionit, ministri Tahiri ka përmendur ndryshimet e bëra legjislative, Kodin Penal, ligjin për kompetencat e zgjeruara në konfiskimin e pasurisë së fituar me aktivitet kriminal si dhe ai për mbrojtjen e sinjalizuesve, por gjithashtu edhe iniciativat e ndërmarra Rishikimin Funksional të Sektorit të Sundimit të Ligjit si dhe agjendën e përbashkët “Drejtësia 2020”.

“Rritja e transparencës, llogaridhënies dhe lufta kundër korrupsionit kërkon përkushtim në analizë, rishikim dhe plotësim të zbrazëtirave ligjore, efikasitet të shtuar të mekanizmave institucionalë dhe ndërveprim të ngushtë në mënyrë që të arrihen rezultate konkrete. Derisa Rishikimi Funksional është proces strategjik që merr kohë, ne kemi vendosur prioritetet në kuadër të agjendës “Drejtësia 2020” edhe ndërmarrjen e masave praktike në sigurimin e përputhshmërisë së Kosovës me standardet evropiane në luftën kundër korrupsionit dhe krimit të organizuar”, ka theksuar ministri Tahiri.

(Kosova Sot)