ZEQA: HASHIM THAÇI, NË KOORDINIM TË PLOTË ME SERBINË, RUSINË DHE VENDET E LINDJES

  • 16 November 2018 - 13:51
ZEQA: HASHIM THAÇI, NË KOORDINIM TË PLOTË ME SERBINË, RUSINË DHE VENDET E LINDJES

 Analisti Florim Zeqa vlerëson se ndryshimi radikal i Hashim Thaçit, gjegjësisht katandisja e tij politike nga Perëndimi te Lindja, ka bërë që të ndryshojë rrënjësisht edhe fjalorin politik. "Përderisa në të kaluarën thoshte se është në koordinim të plotë me SHBA-në, BE-në dhe miqtë europerëndimorë, tani po bën të kundërtën, është në koordinim të plotë me Serbinë, Rusinë dhe vendet e Lindjes! Kërkesa e Hashim Thaçit, gjegjësisht ideja e tij që marrëveshja finale me Serbinë të kalojë përmes referendumit në Kosovë, është në përputhje të plotë me Vladimir Putinin, i cili në tetor të këtij viti ka lënë të nënkuptojë se nëse Kosova dëshiron pavarësi të njohur nga Rusia, ajo duhet të jetë rezultat i një referendumi, sikurse Krimeja!", shpjegon ai. "Në momentumin politik nëpër të cilin po kalon Kosova, kur ka mungesë të theksuar të unitetit në politikën kosovare, për të përkrahur marrëveshjen finale mes Kosovës dhe Serbisë, Hashim Thaçi për të shpëtuar veten nga konsekuencat e Gjykatës Speciale, si rrugëdalje të vetme është duke e përdorur referendumin si mashtrim për qytetarët e Kosovës. Kur dihet mirëfilli, se pa ndryshimin e Kushtetutës së vendit, përkatësisht legjislacionit në fuqi, Kosova nuk mund të organizojë referendumin, si shprehje e vullnetit të qytetarëve për tema madhore për vendin. Pra, ne si shtet nuk e kemi të drejtën ende për të mbajtur referendum. Do të ishte mirë që në një të ardhme të afërt të shihet mundësia për ta bërë të mundur që të dëgjohet zëri i qytetarëve përmes referendumit, si shprehje më e lartë e demokracisë së një vendi dhe respektim i të drejtave dhe vullnetit plebishitar të qytetarëve", tha Zeqa për "Kosova Sot".

(Kosova Sot)