Ish-mjeku i UÇK-së, Kurtit: Mos ia fut kot, bëje këtë ose harroje bashkimin kombëtar!

  • 16 November 2018 - 18:43
Ish-mjeku i UÇK-së, Kurtit: Mos ia fut kot, bëje këtë ose harroje bashkimin kombëtar!

Lideri i Lëvizjes Vetëvendosje Albin Kurti, sot në një konferencë për media, ka thënë se presidenti i vendit Hashim Thaçi do të kërkojë azil politik në Rusi.

Ai ka thënë se Thaçin nuk mund ta ndalin, por mund ta ndalin që ai ta marrë Kosovën me vete.

E Kurtit për këtë deklaratë i ka reaguar ish-mjeku i UÇK-së Liri Loshi. Në një postim  në Facebook, ai ka thënë se nuk beson që Kurti e ka seriozisht kur thotë se Thaçi do të kërkojë azil politik në Rusi.

Loshi duke e quajtur njeri të papërgjegjshëm Kurtin, ka thënë se ai më mirë do të duhej të fliste për bashkim kombëtar me Shqipërinë, e jo “për hava”.

“Nëse ai ka menduar se bashkimin kombëtar e bën pas dy apo tri dekadash, atëherë ky nuk paska qenë plan serioz, sepse atëherë Albin Kurti nuk do te jetë më aktiv në politikë dhe pra bashkimin nuk do ta bëjë ai, por dikush tjetër!”, ka shkruar ish-mjeku ndër të tjerash.

Sipas tij, Kurti duhet ta kuptojë se ky është moment i rëndësishëm për kontributin e tij politik dhe në vend se të merret me Hashim Thaçin, ta rishpalosë planin e tij që siç ka thënë ai, mund të jetë interesant për qendrat e vendosjes ndërkombëtare.

 

Postimi i plotë i Liri Loshit:

Kurrkush nuk pret që Hashim Thaçi të kërkojë azil politik në Rusi dhe nuk e besoj se as Albin Kurti e ka seriozisht kur e thotë këtë. Problemi është se shumë budallenj i besojnë këtij njeriu çdo fjalë që e flet, kurse ky krejt i papërgjegjshëm ia futë kot. Neve na duhet një opozitë dhe liderë opozitarë që bëjnë politikë reale dhe jo të atillë që vetëm flasin për hava. Albin Kurti më mirë do të ishte të na fliste për shembull se ku dallon ideja tij për bashkim kombëtar me idenë e Hashim Thaçit për këmbimet territoriale me Serbinë. Nëse ai ka menduar se bashkimin e bën pa u marrë vesh me Beogradin, Tiranën, Evropën, SHBA-të dhe Rusinë, atëherë ajo nuk ka qenë ide e elaboruar mirë, por vetëm një parullë për votat e atyre që megjithatë bashkimin kombëtar nuk e kanë pasur për shaka! Nëse ai ka menduar se bashkimin kombëtar e bën pas dy apo tri dekadash, atëherë ky nuk paska qenë plan serioz, sepse atëherë Albin Kurti nuk do te jetë më aktiv në politikë dhe pra bashkimin nuk do ta bëjë ai, por dikush tjetër!

Nuk e di pse tash e tutje duhet t’i japë kush edhe një votë Albin Kurtit për premtimet e tij rreth ndryshimit të flamurit, himnit dhe rreth bashkimit kombëtar?! Për Albinin dhe Vetëvendosjen ky do të duhej të ishte momenti vendimtar i veprimit për imponimin e projektit të tyre për bashkim kombëtar dhe kjo nuk nënkupton bashkimin sipas Serbisë dhe Rusisë, por sipas verzionit të Vetëvendosjes. Në të kundërtën le ta pranojnë shtetin e Kosovës dhe simbolet që ai ka dhe ta harrojnë bashkimin kombëtar. 

Albin Kurti pra duhet ta kuptojë se ky është moment i rëndësishëm për kontributin e tij politik dhe në vend se të merret me Hashim Thaçin, ta rishpalosë planin e tij që mund të jetë interesant për qëndrat e vendosjes ndërkombëtare. Përsa kohë Hashim Thaçi është president i Kosovës, bota do të kërkojë të merret vesh me Hashimin dhe jo me Albinin.

 

(Kosova Sot)