Zbulon se nuk vuan nga kanceri, pesë vjet pas kimioterapisë dhe biopsisë

  • 17 November 2018 - 17:30
Zbulon se nuk vuan nga kanceri, pesë vjet pas kimioterapisë dhe biopsisë

Një njeri nga Kolorado thotë se për pesë vjet i ishte nënshtruar kimioterapisë dhe kishte marrë ilaçe kundër dhembjes për të trajtuar një formë të rrallë të kancerit, për të marrë vesh më pas se ai kurrë nuk kishte pasur një sëmundje të tillë. James Salaz, nga Montrose e Kolorados, kishte shkuar në spital në vitin 2012, ku mjekët, pasi që i bënë analiza të shumta, gjetën dy abnormalitete në mushkërinë e tij të majtë. Pasi që ia bën biopsinë e mushkërive, mjekët i thanë se ishte prekur nga një formë e rrallë e kancerit, histriocitozë të qelizave të Langerhansit (LCH) ku qelizat e tepërta të gjakut shkaktojnë formimin e tumoreve në tërë trupin, transmeton gazeta "Kosova Sot Online".

Onkologu u pushua nga puna

Megjithëse ai menjëherë filloi me trajtim, ato abnormalitete nuk largoheshin, derisa ai shkoi te një doktor tjetër, i cili i tha se nuk vuante fare nga kanceri, por nga një sëmundje që karakterizohet me inflamacion të enëve të gjakut. Kjo ishte për t'u habitur, meqë në fillim të sëmundjes, Salaz kishte konsultuar edhe mjekë të tjerë, ku që të gjithë i kishin thënë se kishte kancer. Vetëm pasi që onkologu i tij ishte pushuar nga puna, atij i ishte dashur që të vizitohej te një onkolog tjetër, i cili edhe i tha se kurrë nuk kishte pasur kancer. 

Vaskuliti është inflamacion i enëve të gjakut

"Mjekja më ftoi në zyrën e saj dhe më tha se kurrë nuk e kisha pasur kancerin Langerhans, por se vuaja nga një sëmundje e quajtur vaskulit". Vaskuliti është inflamacion i enëve të gjakut. Por, meqë vaskuliti i tij ka kaluar kaq shumë kohë pa një tretman adekuat, ai tani ka progreduar në një gjendje të quajtur granulomatozë me poliangiitis (GPA), ku inflamacioni i ka prekur enët e gjakut në hundë, sinuse, fyt, mushkëri dhe veshka. Si pasojë e kimioterapisë, Salaz tani vuan edhe nga pankreatiti, me të cilin do t'i duhet që të jetojë gjatë tërë jetës. Spitali dhe mjekët ku ai është trajtuar për kancer, nuk kanë pranuar të bëjnë komente. 

(Kosova Sot)