Si pasojë e infeksionit me kërpudha, mbetet pa sy dhe pa një pjesë të trurit

  • 17 November 2018 - 17:50
Si pasojë e infeksionit me kërpudha, mbetet pa sy dhe pa një pjesë të trurit

Një grua nga Arizona, nënë e tre fëmijëve, është duke luftuar për jetë a vdekje, pasi që ka mbetur pa të dy sytë dhe një pjesë të trurit, pasi që ka marrë një infeksion të rrallë me kërpudha mikroskopike, 12 javë më parë. Jessica Weldon, 34 vjeçe, nga Kuin Krik, filloi të kishte simptoma të infeksionit të sinuseve në shtator dhe, përkundër ilaçeve, gjendja e saj nuk përmirësohej. Pasi që shkoi te mjeku, u konstatua se ajo vuante nga një formë e rrallë e infeksionit me kërpudha mikroskopike, që ishte duke u përhapur në organizmin e saj, transmeton gazeta "Kosova Sot Online".

Kirurgët kanë mbetur të mahnitur që ajo ende vazhdon që të jetojë

Weldon vuan edhe nga sëmundja lupus, gjë që ka bërë që sistemi i saj imunitar të mos jetë në gjendje ta luftojë infeksionin me kërpudha. Mjekët në fillim i thanë se nuk do të mbijetonte. Por, pas 11 operacioneve, duke përfshirë edhe operacionin ku iu hoqën të dy sytë dhe një pjesë e trurit, kirurgët kanë mbetur të mahnitur që ajo ende vazhdon që të jetojë. Shtatë muaj më parë, Weldon ishte martuar me partnerin e saj dhe babanë e fëmijëve të saj, në një ceremoni të ëndrrave. 

Mikormikoza është një infeksion i rrallë me kërpudha

Në fillim, mjekët mendonin se asaj vetëm sa i ishte përkeqësuar sëmundja lupus. Lupus është një çrregullim autoimun, i cili ndikon që sistemi imunitar të sulmojë qelizat e vet organizmit. Por, pas analizave, mjekët panë praninë e infeksionit mikormikotik (me kërpudha). Mikormikoza është një infeksion i rrallë me kërpudha, i cili shkaktohet pas thithjes me frymëmarrje të sporeve të kërpudhave nga ajri, apo pas infektimit nëpërmes lëkurës. Këto kërpudha mikroskopike gjenden gjithandej në ambient dhe, për njerëzit e shëndoshë, nuk janë problematike. Por, ato mund të shkaktojnë probleme te njerëzit me sistem të dëmtuar imunitar. Në ndërkohë, familjarët e Jessica-s kanë filluar me mbledhjen e fondeve për trajtimin e saj të mëtejmë. 

 

 

(Kosova Sot)