Lirohet nga spitali mendor atentatori i Presidentit Reagan

  • 17 November 2018 - 19:10
Lirohet nga spitali mendor atentatori i Presidentit Reagan

Një gjykatës federal vendosi se John Hinckley, personi që shtiu me armë ndaj Presidentit Ronald Reagan, është në gjendje të vazhdojë jetën e tij i lirë.

Për shkak të çrregullimeve mendore, Hinckley u shpall jo fajtor për plagosjen e Presidentit dhe tre personave të tjerë në vitin 1981.

Ai u mbajt për 35 vjet në spitalin e shëndetit mendor “Shën Elizabeta” të Washingtonit.

Në vitin 2016, Hinckley, tashmë 63-vjeçar, u vendos në banesën e nënës së tij 90-vjeçare, në Williamsburg, të shtetit Virxhinia.

Në vendimin e botuar dje të gjykatësit federal Paul Friedman shkruhet se Hinckley “nuk paraqet rrezik për veten dhe të tjerët” dhe se mund të jetojë në një zonë jo më larg se 75 milje nga Williamsburgu, pasi vendndodhja të miratohet nga doktorët.

Hinckley ishte 25 vjeç në vitin 1981, kur qëlloi me armë Presidentin Reagan në hyrje të një hoteli në Washington. Nga plumbat u paralizua sekretari i shtypit Jim Brady dhe u plagosën agjenti i Shërbimit Sekret, Timothy McCarthy, si dhe oficeri i policisë Thomas Delahanty.

Në kohën e atentatit, zoti Hinckley vuante nga psikoza akute dhe depresioni i lartë. Ai ishte fiksuar pas aktores Jodie Foster.

Barry Levine, avokati i Hinckley, njoftoi se në të ardhmen do të kërkojë edhe lirimin e tij pa kushte. Sesioni i ardhshëm i gjykatës është planifikuar për në muajin qershor.

Levine tha se: “Zbatimi prej tij i udhëzimeve të gjykatës ndër vite ka qenë i shkëlqyer. Nëse njerëzit do ta njihnin, do ta pëlqenin.”

 

(Kosova Sot)