Kina thotë se askush nuk fiton në 'luftën e ftohtë', por SHBA nuk do të tërhiqet

  • 17 November 2018 - 23:49
Kina thotë se askush nuk fiton në 'luftën e ftohtë', por SHBA nuk do të tërhiqet

Presidenti i Kinës, Xi Jinping, paralajmëroi se vendet që përqafojnë proteksionizmin janë të “destinuara të dështojnë”, duke iu përgjigjur politikës “Amerika e para” të presidentit Donald Trump.

Kreu kinez foli gjatë punimeve të Samitit të Bashkëpunimit Ekonomik të Azi Paqësorit (APEC), ku tema kryesore që ka dominuar takimet ka qenë përplasja midis Shteteve të Bashkuara dhe Kinës.

Zëvendëspresidenti amerikan, Mike Pence, u kundërpërgjigj më vonë, duke thënë se Uashingtoni kishte gati “dyfishin apo më shumë” të tarifave ndaj produkteve kineze të importit.

Dy ekonomitë më të fuqishme të botës janë përfshirë gjatë këtij viti në një luftë të ashpër tregtare.

Shtëpia e Bardhë thotë se politikat tregtare të Kinës janë “të padrejta”.

Zëvendëspresidenti Pence, i cili foli në forum menjëherë pas presidentit Xi, tha se tarifat ishin një kundërpërgjigje ndaj “mosbalancimit” të shkaktuar nga Kina.

Komentet e tij vijnë një ditë pasi presidenti Donald Trump u tha gazetarëve se kishte besim për arritjen e një marrëveshjeje me Kinën.

Të dy udhëheqësit pritet të takohen muajin e ardhshëm gjatë takimit të G20-s në Argjentinë.

 

(Kosova Sot)