Luksi dhe skemat sociale tronditin financat e shtetit

  • 18 November 2018 - 07:41
Luksi dhe skemat sociale tronditin financat e shtetit

Kosova po rrezikon të përballet me kolaps financiar, nëse nuk vendoset një disiplinë qeveritare në shpenzimet që janë duke u bërë pa kurrfarë plani dhe strategjie. Ministri i Financave, Bedri Hamza edhe vetë e ka pranuar se FMN-ja ka të drejtë në kritikat e tyre drejtuar kësaj Qeverie, kur thotë që Kosova nuk ka stabilitet financiar dhe se nuk mund të shpenzohen miliona euro në paga, mëditje e gjëra të tjera. Hamza theksoi se nuk duhet të shkojnë miliona euro të buxhetit në skema sociale,por buxheti duhet të jetë më shumë për investime. Deputeti i Kuvendit të Kosovës nga tabori opozitar Ali Lajçi(LVV), për gazetën "Kosova Sot', thotë se që nga pas lufta e deri më sot, të gjitha qeveritë e shpenzuan buxhetin në mënyrën jo të duhur, duke u dhënë rëndësi më të madhe pagave, shpenzimeve, udhëtimeve jashtë vendit, mëditjeve, veteranëve të rrejshëm të UÇK-së, si dhe avarive të tjera buxhetore, përkundër faktit se buxheti duhet të shkonte e të destinohej më shumë në projekte kapitale buxhetore për zhvillim ekonomik dhe regjenerim të vendeve të reja të punës. "Përderisa nuk kemi një qasje të tillë, do të kemi shpenzime të pakuptimta, ngase për secilin buxhet nevojiten programe qeveritare. Prandaj, edhe ndodh që qeveritë e dobëta u japin rëndësi atyre projekteve të dobëta dhe shpenzimeve dytësore e jo atyre shpenzimeve kapitale të zhvillimit ekonomik dhe punësimit. Por, ato mjete buxhetore janë të ndara në një drejtim tjetër dhe ato në asnjë mënyrë nuk i plotësojnë objektivat e qytetarëve tanë për punësim dhe zhvillim", vlerësoi ai.  

Sundimi qeveritar

Sipas Lajçit, derisa kjo Qeveri të jetë në pushtet, do të kemi një avaz të tillë, një model të tillë të sundimit, i cili nuk ndryshon. "Prandaj, këta sundimtarë duhet larguar nga froni sa më parë nga qytetarët, që duhet ta bëjnë këtë vetëm përmes votës së tyre, sepse fundja këta nuk dinë që të qeverisin ndryshe. Sepse, formula e tyre qeverisëse e aksham pazarit është e rrezikshme, ngase ata qeverisin me formulën, shteti jam unë ", potencoi ai. Edhe deputeti tjetër i Kuvendit të Kosovës Salih Salihu (PSD), për gazetën "Kosova Sot", thotë se vlerësimet e ministrit Bedri Hamza dhe ato të institucioneve financiare ndërkombëtare janë shumë të drejta. "Vërtet, ky buxhet nuk siguron për vendin zhvillim të përgjithshëm ekonomik, por plotëson dëshirat, e ministrive dhe ministrave të caktuar", u shpreh ai. Sipas opozitari Salihu, ky është një buxhet që vazhdon të rrezikojë qëndrueshmërinë fiskale të Kosovës, pra është një buxhet, i cili nuk investon në rritjen ekonomike, por vetëm në projekte infrastrukturore, të cilat shpeshherë janë të paplanifikuara, dhe është buxhet që anashkalon nevojat emergjente që i kanë qytetarët e Kosovës për punë dhe mirëqenie sociale arsim e shëndetësi. "Detyrë prioritare e kësaj Qeverie mbetet reduktimi i listave të veteranëve të rrejshëm të UÇK-së dhe rishikimi dhe pastrimi i listave të shfrytëzuesve të rrejshëm të skemave të ndihmave të të gjitha kategorive sociale ku akoma figurojnë shumë të vdekur. Në këtë mënyrë me këta miliona të kursyer do të mund të investoheshin në arsim dhe shëndetësi që janë dy nga pikat më të dobëta të të gjitha garniturave të pushteteve të pasluftës, përfshirë edhe këtë Qeveri aktuale që kanë bërë shumë pak në këtë drejtim", ka theksuar Salihu.

Fryrja e paketave sociale

Eksperti i financave, i shkolluar në Angli, Xhevat Meha, për gazetën "Kosova Sot", thotë se Projektbuxheti për vitin 2019, marrë parasysh deklarimet e zyrtarëve, ka një rritje të paketave sociale. "Paketat sociale kanë qenë tepër të fryra edhe në buxhetet e deritanishme dhe kjo fatkeqësisht vetëm sa po rritet. Çka janë këto në të vërtetë? Fryrja e këtyre paketave ka shumë efekte, të cilat janë katastrofike për zhvillimin e Kosovës. Në shikim të parë shihen si blerje e votave dhe blerje e qetësisë sociale, mirëpo ka edhe shumë efekte të tjera të dëmshme, efekte që thënë thjesht janë sikur një vrapuesi i vë një gur të rëndë në qafe dhe i thua të vrapojë", u shpreh ai. "Një ilustrim tjetër i thjeshtë: Shpenzimi i buxhetit të Kosovës në paketa sociale është njëjtë sikur kur nuk ke shtëpi dhe jeni duke jetuar me qira, dhe gjithë rrogën e shpenzon në ushqime, pije e qejfe të tjera e nuk ndan kurrgjë nga rroga për ndërtimin e një shtëpie, Gjithë jetën do të mbetesh pa shtëpi. Të marrin një shembull konkret: Buxheti i Kosovës për shpenzimet kapitale (pajisje ushtarake etj.) të FSK-së për vitin 2018 është 18.5 milionë euro", theksoi ai. Ndërsa, analisti i ekonomisë Dardan Grapci, për gazetën " Kosova Sot", thotë se jo vetëm ministri i Financave, Bedri Hamza, por edhe shumë të tjerë e kanë pranuar më përpara që FMN-ja gjithmonë e ka thënë të drejtën, sikurse që edhe shumë herë ministrat kanë deklaruar që stabiliteti financiar është jashtë normales dhe që shpenzimet e buxhetit po shkojnë në favor të luksit të politikaneve e jo të qytetarëve. "Deklarime politike të këtij lloji kemi për t'i dëgjuar derisa ky popull ta kuptojë që ish- komandantët e UÇKsë duhet që të largohen nga skena politike e jo t'i votojnë për të qëndruar në politikë,andaj vetëm kur këta persona ushtarakë, që i kemi në pozitat më të larta, të largohen, dhe pushtetin me vendin ta marrin personalitete që nuk janë figura ushtarake, vetëm atëherë mund të themi se Kosova do ta ketë një të ardhme, përndryshe me këtë situatë dhe këto shpenzime do të vazhdojnë edhe viteve në vazhdim", potencoi ai.

Goditen investimet kapitale

Njohësi i kësaj fushe Xhevdet Neziraj, ish -deputet i Kuvendit të Kosovës dhe ish-anëtarë i Komisionit për Buxhet dhe Financa, për gazetën " Kosova Sot", thotë se parimisht çdo vërejtje që vjen nga FMN-ja dhe BB-ja, Qeveria jonë duhet ta marrë me seriozitetin më të madh. "Edhe unë pajtohem me vlerësimin e ministrit Bedri Hamza që për mua është një vlerësim shumë realist, edhe pse ai është një ministër që vjen nga koalicioni i tashëm qeverisës. Kur e them këtë dua që të theksoj se që kur është aprovuar buxheti i sivjetmë unë nuk jam pajtuar me shumë nga prioritetet e ekzekutivit, që si vërejtje edhe tash janë aktuale.

Kjo, sepse edhe me këtë buxhet janë duke u bërë shkurtime në investimet kapitale, do të thotë aty ku goditet më tepër infrastruktura, punësimi dhe shumëçka tjetër", vijoi më tutje Neziraj. "Qeveria duhet që të ndajë sa më shumë fonde për të ndihmuar të rinjtë tanë në punësimin e tyre, sepse me liberalizimin e vizave sektori prodhues i vendit dhe bizneset do të ngelin pa kuadro punëtorësh", vlerëson ai. Ndërsa, afaristi Ramadan Maloku, anëtar i Kryesisë së Shoqatës së Naftëtarëve të Kosovës, për gazetën "Kosova Sot", thotë se vërejtjet e FMN-së dhe ato të BB-së duhet respektuar pikë për pikë se vijnë nga miqtë tanë edhe buxheti i sivjetmë ka qenë modest krahasuar me nevojat e vendit tonë. "E veçanta është se të ardhurat kryesore do të jenë të ardhurat nga Doganat dhe Administrata Tatimore e Kosovës dhe ato janë kryesisht në vijën e asaj që është planifikuar", u shpreh ai. Sipas Malokut, e veçanta e këtij buxheti është se investimet publike kanë shënuar rënie të dukshme krahasuar me vite e mëhershme.

FONDE PËR PRODHUESIT

"Qeveria duhet që të ndajë sa më shumë fonde për të ndihmuar prodhimtarinë, në mënyrë që mos të bëhemi një vend i varur nga importi i mallrave të Serbisë", tha Ramadan Maloku për "Kosova Sot".

MUNGESA E STRATEGJISË

Jo vetëm kjo Qeveri, por edhe të gjitha qeveritë e tjera deri sot kanë punuar vetëm në baza ditore dhe 'ad-hoc', ngase asnjëra prej tyre nuk kanë pasur ndonjë strategji zhvillimore më të gjatë që do të duhej të ishte më konceptuale, më sistemore e një shteti që orientohet të jetë një shtet funksional dhe shtet ligjor e me zhvillim ekonomik", u shpreh Ali Lajçi për "Kosova Sot".

VETERANËT E RREJSHËM

Meha thotë se veteranët e rrejshëm, që llogariten të jenë së paku 25.000, kanë paguar mesatarisht nga 3.000 euro për të marrë statusin e veteranit, e që gjithsej bëjnë 75 milionë euro. "Këta kanë paguar si investim për të siguruar të ardhura nga buxheti i shteti. Buxheti i shtetit paguan këta 75 milionë euro për të kryer kompensimin e investimin, plus pagesat vazhdojnë në baza mujore, dhe nëse nuk ndërpritet kjo skemë nga institucionet përgjegjëse për zbatueshmëri të ligjit, do të jetë shumë keq. Kjo, ngase në këtë mënyrë, në vend që të kemi ushtri të pajisur me teknike ushtarake, kemi 75 milionë euro në xhepat e bartësve të kësaj skeme dhe kemi vazhdimin e pagesave mujore nga buxheti për këta individë me status veteranit", u shpreh Xhevat Meha për "Kosova Sot".

 

 

(Kosova Sot)