Familjet britanike po zhvendosen nga qytetet për shkak të ajrit të ndotur

  • 18 November 2018 - 17:23
Familjet britanike po zhvendosen nga qytetet për shkak të ajrit të ndotur

Shumë prindër po i largojnë fëmijët e tyre nga shkollat e mira për shkak të cilësisë së dobët të ajrit, ndërsa të tjerët po e shqyrtojnë mundësitë që të zhvendosen përgjithmonë nga qytetet. Kjo është duke ndodhur për shkak të frikës nga ndikimi i lirimit të karburanteve në shëndetin e njerëzve.

Një studim i publikuar javën e kaluar dëshmoi se ndotja e shkaktuar nga veturat me naftë po e pengon rritjen e mushkërive të fëmijëve, duke i lënë ata me pasoja për tërë jetën. Ky studim i përfshiu më shumë se 2000 nxënës të Londrës, qytet në të cilin ndotja nga makinat me naftë është një faktor shumë i rëndësishëm.

“Studimi tregoi se ndotja e ajrit e ka shkaktuar humbjen e 5% të kapacitetit të mushkërive. Kjo është diçka që fëmijëve nuk do t’ju kthehet kurrë. Është diçka që do t’i rrezikojë fëmijët gjatë tërë jetës dhe ata mund të përballen me infeksione dhe probleme të frymëmarrjes, vetëm për shkak të ajrit të thithur gjatë rrugës për në shkollë”, tha Sarah Macfadyen, udhëheqëse e politkës dhe çështjeve publike në Fondacionin Britanik të Mushkërive.

Pyetësorët e plotësuar nga prindërit dhe diskutimet nëpër forume të ndryshme tregojnë se shqetësimet e prindërve për ndotjen e ajrit janë duke u rritur. Ata po e vlersojnë këtë problem si mjaft serioz, prandaj cilësia e ajrit është kriter kryesor për prindërit kur ata zgjedhin një shkollë për fëmijët e tyre, ndërsa një pjesë e tyre po e shqyrtojnë mundësinë e zhvendosjes së përhershme nga zonat urbane.

“Është e pabesueshme që në shekullin XXI prindërit britanikë duhet të mendojnë për t’u larguar me familjet e tyre për shkak të ajrit të ndotur që po i dëmton fëmijët e tyre. Kështu ndodh kur keni një qeveri që nuk ka vullnet politik për ta zgjidhur një problem që tashmë paraqet krizë në shëndetin publik”, tha Andrea Lee, një nga aktivistët e grupit “Client Earth”, që merreth me çështje mjedisore, shkruan “The Guardian”.

 

(Kosova Sot)