Republikani DeSantis e fitoi garën për guvernator të Floridas, demokrati Gillum e pranoi humbjen

  • 18 November 2018 - 17:26
Republikani DeSantis e fitoi garën për guvernator të Floridas, demokrati Gillum e pranoi humbjen

Demokrati Andrew Gillum, i cili synonte të bëhej guvernatori i parë me ngjyrë i Floridas, e pranoi humbjen të shtunën, pasi nga rinumërimi u publikuan shifra që ia pamundësonin sfidimin e mëtutjeshëm të kandidatit republikan, Ron DeSantis, i cili është aleat i presidentit Donald Trump.

Kandidati demokrat e kishte pranuar edhe më herët humbjen, por hoqi dorë nga dorëzimi kur rezultatet ishin mjaftueshëm të ngushta, sa për ta lejuar një rinumërim automatik. “Ky ka qenë udhëtimi i jetës sonë. Kemi qenë shumë të nderuar që ta kemi përkrahjen tuaj. Qëndroni të lidhur me ne, do të ketë gjëra tjera që do të pasojnë. Kjo garë për Floridan vazhdon”, tha ai përmes një paraqitjeje në një video.

Në anën tjetër, fituesi i zgjedhjeve, DeSantis, postoi në Twitter: “Kjo ishte një fushatë me garë të fortë. Tash është koha që ta bashkojmë Floridan”. Pas mbarimit të rinumërimit automatik, rezultati përfundimtar tregoi se DeSantis kishte fituar 33,683 vota më shumë se kundërkandidati i tij, që paraqet një përqindje prej vetëm 0.41%.

Përndryshe, ende është duke vazhduar rinumërimi i votave për garën e Senatit. Në këtë garë ka dallim të ngushtë mes kandidatit demokrat, Nelson, dhe kundërkandidatit të tij, Rick Scott. Pritet që rinumërimi i të gjitha votave të përfundojë gjatë ditës së diel. I tërë procesi ka qenë temë e përplasjeve politike sepse në to ishte përfshirë edhe presidenti, duke thënë se procesi i votimit ka pasur parregullsi, shkruan “Reuters”.

 

(Kosova Sot)