Presidenti në Manastir në 110-vjetorin e lindjes së alfabetit shqiptar

  • 18 November 2018 - 18:54
Presidenti në Manastir në 110-vjetorin e lindjes së alfabetit shqiptar

Presidenti i Shqipërisë Ilir Meta këtë fundjavë ka vizituar Manastirin për nderë të 110- vjetorit të Kongresit të Manastirit. Kreu i shtetit shqiptar pasi që shpërndau në mënyrë simbolike 110 abetare për fëmijët shqiptarë u ndal edhe në fshatin Mexhitli, fshat ky i banuar me shumicë shqiptare.

Banorët kanë shprehur falënderimet e tyre për këtë vizitë, dhe për kujdesin që shteti shqiptar tregon për shqiptarët e Maqedonisë. Kurse presidenti Meta ka siguruar edhe njëherë shqiptarët e Maqedonisë se do të kenë gjithmonë kujdesin e shtetit shqiptar.

"Ju dhe të gjithë shqiptarët në Maqedoni kurrë nuk do të jeni vetëm. Shteti shqiptar do të qëndrojë gjithmonë pranë jush. Ju jeni krenaria shqiptare e zonës së Manastirit. Ju falënderoj që mbani gjallë e trashëgoni vlerat dhe traditat më të mira të shqiptarëve. Kruja, Vlora, Prizreni e Manastiri janë qytetet me te rëndësishme për ne shqiptaret”, u shpreh presidenti shqiptar.

Edhe në një postim në Facebook, presidenti Meta ka ndarë foto nga vizita në Mexhitli, teksa shkruan:

“Një takim mjaft i përzemërt me shqiptarët e Mexhitlije (Manastir), fshatit më skajor në kufi me Greqinë. Ndamë së bashku bindjen se kohë më të mira po vijnë edhe për ta, me perspektivat e reja të anëtarësimit në NATO të Maqedonisë dhe çeljes së negociatave me BE vitin e ardhshëm. Mirënjohje të gjithë atyre që qëndruan në kohë të vështira si shqiptarë dhe ruajtën me krenari gjuhën kombëtare, Alfabeti i së cilës u themelua në Manastir për t’i bashkuar shqiptarët kudo”.

Gjatë qëndrimit në Maqedoni presidenti Meta ka vizituar edhe fshatin Nakolec të Prespës, ku ka takuar shqiptarët vendorë dhe ka vizituar edhe teqenë "Dervish Ali".

Edhe nga këto takime Meta ka postuar fotografi dhe mesazhe emocionuese për takimet me bashkëkombësit e këtyre anëve të Maqedonisë.

 

(Kosova Sot)