Nesër nis gjykimi ndaj ish-kryetarit të Suharekës

  • 18 November 2018 - 21:06
Nesër nis gjykimi ndaj ish-kryetarit të Suharekës

Në Gjykatën e Prizrenit nesër pritet të nisë gjykimi i Sali Asllanajt, ish- kryetar i Suharekës, dhe dy zyrtarëve të tjerë – Sherif Berishës, në cilësinë e drejtorit të Drejtorisë Komunale të Arsimit në Suharekë dhe Milazim Hajdarit, në cilësinë e drejtorit të ShFMU “Bajram Curri” të Nishorit.

Asllanaj, Berisha e Hajdari sipas aktakuzës së ngritur nga prokurorja Ervehe Gashi e Prokurorisë së Prizrenit akuzohen për veprën penale të keqpërdorimit të pozitës apo autoriteti zyrtar, raporton kallxo.com.

Seanca do të drejtohet nga gjyqtari Artan Sejrani.

Në lidhje me këtë rast, Asllanaj kishte thënë se kjo aktakuzë është e paqëndrueshme, pasi sipas tij Komuna e ka pasur për detyrë të sigurojë transportin e nxënësve të fshatit Nishor.

“Prokuroria e ka hapur këtë rast për një kontratë me një OJQ në lidhje me transportin e nxënësve të fshatit Nishor. Unë mendoj se hapja e kësaj aktakuze është e paqëndrueshme sepse ne e kemi pasur për detyrë t’i sigurojmë transportin këtyre nxënësve nga fshati”, kishte thënë Asllanaj.

 

 

(Kosova Sot)