Mogherini: BE'ja po ndjek nga afër hetimet për Khashoggin

  • 18 November 2018 - 21:32
Mogherini: BE'ja po ndjek nga afër hetimet për Khashoggin

Përfaqësuesja e Lartë e BE-së për Politikën e Jashtme dhe Sigurinë, Federica Mogherini ka deklaruar se bashkë me partnerët ndërkombëtarë Brukseli po ndjek nga afër rezultatin e hetimeve mbi vrasjen e gazetarit saudit Jamal Khashoggit.

Në një deklaratë me shkrim në lidhje me këtë çështje, Mogherini rithekson kërkesën e BE-së për një hetim të “besueshëm dhe transparent” për zbardhjen e vrasjes së Khashoggit.

“Duhet të zbardhen të gjitha detajet në lidhje me këtë vrasje të tmerrshme dhe të dënohen shkaktarët”, tha Mogherini.

Mogherini thotë se “fillimi i procesit ligjor është një hap i rëndësishëm duke shtuar se BE-ja është kundër dënimit me vdekje”.

“Së bashku me partnerët ndërkombëtarë do të ndjekim nga afër rezultatin e hetimeve mbi vrasjen e Khashoggit”, tha ajo.

Mogherini shtoi gjithashtu se “zyrtarët sauditë duhet të marrin të gjitha masat e nevojshme që të mos përsëritet një rast i ngjashëm”, përcjell Atsh.

Ajo nënvizoi se “vendet anëtare të BE-së në bazë të rezultatit të hetimeve, në përputhje me të drejtën ndërkombëtare do të marrin një qëndrim të përbashkët kundër shkaktarëve”.

 

(Kosova Sot)