Kompania “Nissan” planifikon ta shkarkojë shefin, nuk i raportonte të gjitha të hyrat personale

  • 19 November 2018 - 12:35
Kompania “Nissan” planifikon ta shkarkojë shefin, nuk i raportonte të gjitha të hyrat personale

Gjiganti japonez i prodhimit të veturave, “Nissan”, e ka propozuar largimin e shefit Carlos Ghosn nga posti i tij për shkak të dyshimeve për keqpërdorime financiare. Kompania ka thënë se e ka zhvilluar një hetim të brendshëm që ka zgjatur disa muaj dhe i cili ka treguar se shefi i kompanisë raportonte më pak të hyra sesa që merrte në të vërtetë.

Përpos kësaj s”hkeljeje, janë gjetur edhe disa shkelje të tjera, përfshirë përdorimin e aseteve të kompanisë për qëllime personale. Kompania iu ka kërkuar falje të gjithë aksionarëve dhe ka thënë se i ka dorëzuar gjetjet në zyrën e prokurorit publik të Japonisë. Ata planifikojnë që ta shkarkojnë edhe një tjetër zyrtar të lartë, i cili thuhet se ishte i përfshirë në këto keqpërdorime.

Përpos që është shef i kompanisë “Nissan”, ai është edhe shef ekzekutiv i dy kompanive tjera, “Renault” dhe “Mitsubishi”. Ai është një figurë e njohur në industrinë e veturave. Ai vlerësohet si një ndër personat meritorë për rritjen e shitjeve të kompanive “Renault” dhe “Nissan”. Njoftimet e sotme duket se do ta dëmtojnë reputacionin e tij. Ky skandal mund ta rrezikojë edhe stabilitetin e aleancës mes kompanive “Renault”, “Nissan” dhe “Mitsubishi”

(Kosova Sot)