AHMETI: KGJK-JA, KPK-JA DHE INSTITUCIONET E TJERA TË SISTEMIT TË DREJTËSISË JANË NË SHËRBIM TË POLITIKËS

  • 19 November 2018 - 12:46
AHMETI: KGJK-JA, KPK-JA DHE INSTITUCIONET E TJERA TË SISTEMIT TË DREJTËSISË JANË NË SHËRBIM TË POLITIKËS

Një nevojë të tillë emergjente e sheh njohësi i kësaj fushe, Hidajet Ahmeti. Ai thotë se hallka zinxhirore e funksionimit të sistemit të drejtësisë është kapur nga qeveritë sunduese të pasluftës dhe në këtë mënyrë nuk mund të presim drejtësi të pavarur dhe efikase, prandaj do të duhej reformuar të gjitha këto hallka, nga "A" deri në "ZH". "Duke filluar KGJK-ja, KPK-ja dhe institucionet tjera mbështetëse të sistemit të drejtësisë janë skajshmërisht të politizuara dhe në shërbim të politikës. Fillimisht në KGJK dhe KPK janë të vendosur njerëz politikë, jokredibilë, joprofesionalë, dhe për këtë arsye e kemi një gjendje mjerueshme në sistemin e drejtësisë. Kapja e sistemit të drejtësisë ka ndodhur në kontinuitet dhe në mënyrë të orkestruar dhe të njëjtën kohë një pjesë e gjyqtarëve dhe prokurorëve i kanë kontribuar kësaj gjendje të mjerueshme. Mandati kushtetues e ligjor i sistemit të drejtësisë në Kosovë është reduktuar në shërbim të klaneve mafioze, grupeve politike e parapolitike të inkriminuar thellë në krim e korrupsion. Kur them sistemi i drejtësisë është i kapur e i politizuar skajshmërisht, nuk e kam fjalën për gjitha hallkat zinxhirore të sistemit të drejtësisë, por strukturat menaxhuese të këtij sistemi janë të kapura, pasi që politika e inkriminuar i ka futur duart në sistemin e drejtësisë dhe ka reduktuar mandatin e saj në shërbim të interesave të ngushta politike. KGJK-ja dhe KPK-ja si gardian dhe shtytës të politikave publike që kanë të bëjnë më pushtetin gjyqësor janë instrumetalizuar skajshëm dhe këto hallka menaxhuese të sistemit të drejtësisë mandatin e tyre kushtetues e ligjor e kanë reduktuar në shërbim të një klientele politike, duke punuar e vepruar në interes të grupeve mafioze. Me këtë frymë të instalimit politik, nepotik e klientelist, sistemi i drejtësisë në vend që ta jetësojë shtetin e së drejtës dhe të jetë në funksion të objektivitetit, paanshmërisë e profesionalizmit, është shndërruar në oazë të krimit e korrupsionit", është shprehur ai. Me këtë mendësi të deritanishme, sistemi i drejtësisë do të vazhdojë të jetë në funksion të politikës dhe në shërbim të klaneve mafioze, e cila do të reflektojë në ngulitje të vazhdueshme të jetës institucionale, politike, sociale e ekonomike, po njëkohësisht do të stagnojë Kosovën në anëtarësimin në strukturat euroatlantike", tha Hidajet Ahmeti. Sipas tij, vetëm ndërhyrja me ligjin VETTING në sistem mund të sjellë rregull dhe zbatim profesional të ligjit."Ndryshimeve të tilla substanciale në gjyqësor duhet t'u prijë vullneti politik, duke bërë një reformë substanciale në legjislacion, por njëkohësisht duhet të jetë një dorë e hekurt politike, e cila do të implementojë legjislacionin.Vetting-u është shpresë dhe mundësi për gjyqësorin, i cili do të prodhojë një gjendje të re në gjyqësor, duke u përkthyer në efektivitet, efikasitet të gjyqësorit dhe vënien në binar të drejtësisë", theksoi Hidajet Ahmeti.

 

(Kosova Sot)