Gjermania ia ndalon hyrjen në zonën Shengen 18 sauditëve që dyshohen për vrasjen e Khashoggit

  • 19 November 2018 - 15:26
Gjermania ia ndalon hyrjen në zonën Shengen 18 sauditëve që dyshohen për vrasjen e Khashoggit

Gjermania ia ka ndaluar 18 shtetasve të Arabisë Saudite që të hyjnë në zonën Shengen. Në këtë zonë përfshihen 26 shtete, ndërsa vendimi për ta u mor për shkak të dyshimeve se kanë qenë të përfshirë në vrasjen e gazetarit saudit, Kemal Khashoggi. Gjermania deklaroi se vendimi është marrë në bashkëpunim me Francën dhe Britaninë e Madhe.

“Njësoj si më parë, për këtë rast ka më shumë pyetje se përgjigje, qoftë në lidhje me krimin, qoftë me personat që qëndrojnë prapa tij”, tha Heiko Maas, ministër i jashtëm i Gjermanisë. Ai tha se dyshohet që këta 18 persona kanë qenë të lidhur me këtë krim, por nuk dha hollësi shtesë. Zyra e tij deklaroi se emrat e tyre nuk mund të publikohen për shkak të ligjeve gjermane për mbrojtje të privatësisë.

Në anën tjetër, agjencitë amerikane të inteligjencës kanë vlerësuar se princi Salman e ka urdhëruar vrasjen, raport i cili e ka vënë në një situatë të vështirë administratën e presidentit Trump. Ai kishte thënë se Arabia Saudite është aleat i SHBA-së dhe synon që ta ruajë aleancën me ta sepse, sipas tij, Arabia Saudite është treguar aleat shumë i mirë në shumë aspekte.

Gazetari i vrarë ishte kolumnist i gazetës “Washington Post” dhe ka qenë kritikues i familjes mbretërore të Arabisë Saudite. Ai u zhduk më 2 tetor, pasi kishte hyrë në konsullatën e Arabisë Saudite në Stamboll. Arabia Saudite ka dhënë shpjegime kundërthënëse lidhur me vrasjen e tij, duke i ndërruar disa herë deklaratat. Vrasja e gazetarit është dënuar ashpër nga i tërë komuniteti ndërkombëtar, ndërsa të dyshuarit kryesorë të vrasjes janë një grup agjentësh sauditë, shkruan “The Guardian”.

(Kosova Sot)