“Policia e modës” në Sudan ua rruan kokat njerëzve pa dëshirën e tyre

  • 19 November 2018 - 16:09
“Policia e modës” në Sudan ua rruan kokat njerëzve pa dëshirën e tyre

Përdoruesit e rrjeteve sociale në Sudan ishin tmerruar kur i kishin parë disa video dhe fotografi ku shiheshin disa ushtarë që po ua rruanin kokat disa të rinjve në zonat e varfra të kryeqytetit të vendit afrikan.Trupat e ashtuquajtur “Janjaweed”, të cilët ishin akuzuar për ushtrim të dhunës dekadën e kaluar, tash kanë një detyrë të re.

Ata janë akuzuar edhe për rrëmbim të deveve dhe kuajve, djegie të fshatrave, vrasje të burrave dhe përdhunim të grave. Tash, ata quhen “Forcat e Mbështetjes së Shpejtë” dhe e kanë marrë për detyrë luftimin e trafikimit dhe ndalimin e emigrantëve që duan të shkojnë në Evropë, rol i cili është caktuar nga Bashkimi Evropian.

Megjithatë, nuk është ende e qartë pse këta ish-luftëtarë tash kanë filluar edhe të ua rruajnë kokat vendasve, por stili i flokëve duket se lidhet me traditën konzervative dhe religjioze. Sipas traditës së tyre, këto stile flokësh i bëjnë të qethurit të dallohen si persona të devijuar. Përpos stilit të flokëve, edhe veshja e grave është çështje e ndjeshme. Pantallonat vlerësohen si veshje e papërshtatshme për gratë dhe policia e rendit publik shpesh i arreston ato. Përpos tyre, policia arreston edhe gra të cilat punojnë në hapësira publike.

Këto rregulla janë përcaktuar nga regjimi i presidentit Omar al-Bashir, i cili erdhi në pushtet në vitin 1989, pas një puçi të suksesshëm islamik. Ai e ka futur në fuqi edhe sheriatin apo ligjin islam, i cili ishte larguar katër vjet para se ai të vinte në pushtet. Amal Habbani, një aktiviste e të drejtave të grave tha se rreth 50 mijë gra arrestohen çdo vit për shkak të veshjes së tyre, shkruan “The Guardian”.

 

(Kosova Sot)