Trumpi kërcënon se do t’ia marrë sërish lejen gazetarit Acosta

  • 19 November 2018 - 16:56
Trumpi kërcënon se do t’ia marrë sërish lejen gazetarit Acosta

Shtëpia e Bardhë ka lëshuar një njoftim të ri, në të cilin thuhet se leja për raportim nga Shtëpia e Bardhë për gazetarin e “CNN”-it, Jim Acosta, mund të tërhiqet sërish. Televizioni amerikan ka reaguar menjëherë, duke thënë se Shtëpia e Bardhë po vazhdon ta shkelë amandamentin e parë dhe të pestë të kushtetutës.

“Këto veprime janë kërcënim për tërë gazetarët dhe organizatat mediale. Jim Acosta dhe “CNN”-i do të vazhdojnë me raportim të lajmeve për Shtëpinë e Bardhë dhe presidentin”, thuhet në deklaratën e rrjetit televiziv. Të premten e kaluar, televizioni e fitoi një betejë gjyqësore, ku gjykata e detyroi Shtëpinë e Bardhë që t’ia japë lejen gazetarit Acosta edhe për 14 ditë, deri në marrjen e një vendimi tjetër. Gjykatësi i këtij rasti tha se e drejta e gazetarit është shkelur.

Në po të njëjtën ditë kur u mor vendimi i përkohshëm i gjykatës, Shtëpia e Bardhë ia dërgoi një letër zyrtare gazetarit, duke e informuar se leja e tij do të tërhiqet posa të përfundojë periudha dyjavore, e caktuar nga gjykata. Kjo letër ishte e nënshkruar nga sekretarja e mediave, Sarah Sanders, dhe zëvendës-shefi i stafit për komunikim, Bill Shine.

Letra la të kuptohet se administrata e Trumpit dëshiron ta vazhdojë luftën me Acostan, pavarësisht vendimit të gjykatës. Të hënën, avokatët e televizionit deklaruan se shpresojnë që palët do ta arrijnë një marrëveshje pa pasur nevojë për seanca gjyqësore. Sidoqoftë, për shkak të kërcënimeve të Shtëpisë së Bardhë, televizioni dhe gazetari po kërkojnë që një seancë tjetër të mbahet sa më shpejt, në mënyrë që të vazhdohet afati i lejes ose të merret një vendim përfundimtar, shkruan “CNN”

(Kosova Sot)