Limaj:Rinia mund ta bëjë Kosovën shtetin më të mirë në rajon

  • 19 November 2018 - 20:49
Limaj:Rinia mund ta bëjë Kosovën shtetin më të mirë në rajon

Kryetari i Nismës Socialdemokrate, Fatmir Limaj, ka vazhduar turin e takimeve me të rinjtë. Limaj të hënën përveç të rinjve në Shtime ka takuar edhe të rinjtë e Nismës në Lipjan.

Me këtë rast Limaj ka thënë se ideja e këtyre takimeve është shpalosja e planit për rininë.

Ai ka kërkuar nga strukturat drejtuese të Nismës në Lipjan të vazhdojnë zbatimin e zotimeve që i ka dhënë Nisma gjatë fushatës elektorale.

“Ne sot kemi ardhur me kërku ndihmën tuaj. Ju me na ndihmu neve, na me ju ndihmu juve. Siç e dini në fushatën Nisma ka dal me dy objektiva për rininë, vetëpunësimi dhe stimulimi i ndërmarrjeve të vogla të cilat hapin vende të reja të punës. Ju ftoj të aktivizoheni tërësisht në jetën aktive publike, të jepni kontributin tuaj kudo që jetoni me qëllim që duke u aktivizuar të ndihmoni vetën tuaj në arritjen e objektivave që keni”, ka thënë Limaj para të rinjve në Lipjan.

Ai ka thënë se dikur kur kanë qenë në moshën e re s’kanë pasur ëndrra normale për shkak se kanë qenë të robëruar.

“Janë qindra njerëz që sot nuk janë në mesin tonë e të cilët kanë dhënë jetën për të pasur lirinë e që sot janë dëshmorë. Ka edhe qindra djem të ri të cilat jetën e tyre e kanë çuar në male. A ka rinia e Kosovës një ëndërr të përbashkët. A mund të ndërtohet një ëndërr e përbashkët e me investu atë ëndërr dhe ta kthejmë në realitet siç e kemi pasur ne lirinë”, ka shtuar Limaj.

“Cka bëjnë të rinjtë e Lipjanit sot? Ne jemi një parti politike e cila duam të ngrisim rininë. Platforma jonë politike është ndryshe nga partitë tjera. Ne besojmë se një organizim politikë duhet të jetë i tillë të ofroj njerëz. Ne nuk duam t’ua bëjmë qefin edhe me ju thënë mirë e keni dhe fajet i ka dikush tjetër”, ka theksuar Limaj.

Kryetari i Nismës ka thënë se nga ta është kërkuar sakrificë maksimale, ndërsa nga rinia e sotme ai ka thënë se kërkohet të bëhen krenar vetëm prindërit tuaj.

Kryetari i Nismës ka thënë se rinia mund ta bëjë Kosovën shtetin më të mirë në rajon. Madje, ai ka thënë se shteti nuk mund të bëhet pa rininë.

“Hajde të ngrisim rininë në këmbë. Nuk bën të hiqni dorë nga vendi juaj pa bërë përpjekje. Kosova ka probleme, por hajdeni të bëhemi bashkë. Nëse kemi telashe me qeveritë ndërroni, por shtetin mos e shani. Unë jam i bindur se Kosova ka mjaftueshëm resurse që ju me munde me jetu këtu dinjitetshëm”, ka deklaruar Limaj.

Ai i ka sugjeruar të rinjve që nëse nuk u shkon fakulteti të orientohen në zanate dhe shteti do t’i mbështete.

“Keni dhjetëra profesione që mund t’i merrni në Qendra të Aftësimit Profesional. Shkoni të kryetari degës, kushdo që është i interesuar me ndjekë aftësimin profesional me mbështet. Ne ju mbështesim për punë. Vetëpunësimi- Sot një vajzë dhe një djalë i ri që ka ide mund të ju mbështet shteti. Lipjani i ka të gjitha mundësitë edhe në bujqësi dhe blegtori. Ne duam që prindërit tuaj të ndihen mirë që jeni pjesë e Nismës. Ftesa ime është të bashkohemi për ta bërë Lipjanin dhe Kosovën”, ka përfunduar Limaj.

Kryetari i rinisë së Nismës, Albert Maxhuni, ka ftuar rininë e Nismës të ngritin zërin dhe të bëhen bashkë në të drejtën e tyre. Ai ka thënë se Nisma i jep hapësire të madhe rinisë. Maxhuni ka ftuar të rinjtë të orientohen në aftësim profesional. Po ashtu ai ka thënë se nëse të rinjtë kanë ide inovative mund të krijojnë vende të reja të punës nëpërmjet projektit të vetëpunësimit. Nisma, sipas tij, është adresa më e mirë për të rinjtë e Kosovës.

 

 

(Kosova Sot)