Ukraina kërcënon me largim nga Interpol-i

  • 19 November 2018 - 23:51
Ukraina kërcënon me largim nga Interpol-i

Ministri i Brendshëm i Ukrainës, Arsen Avakov, tha se vendi i tij do të konsiderojë pezullimin e anëtarësisë në Interpol – agjencinë ndërkombëtare të policisë – nëse një zyrtar rus zgjidhet në krye të saj.

Avakov i bëri këto komente në Dubai të Emirateve të Bashkuara Arabe, ku shefat e policisë nga e gjithë bota pritet të zgjedhin presidentin e ri të martën, pasi ish-shefi i organizatës është arrestuar në Kinë.

Mediat britanike raportuan se Aleksandr Prokopchuk, veteran i Ministrisë së Brendshme të Rusisë, me gjasë do të zgjidhet, pavarësisht akuzave se Moska i ka përdorur procedurat e Interpol-it për të ndjekur armiqtë politikë.

“Presidenca e mundshme e Rusisë në Interpol është absurde dhe në kundërshtim me frymën dhe qëllimet e kësaj organizate”, tha Avakov.

Komentet vijnë në kohën e tensioneve të larta midis Moskës dhe Kievit, lidhur me aneksimin e gadishullit ukrainas të Krimesë nga Rusia në vitin 2014 dhe mbështetjen ruse për separatistët në Ukrainën lindore.

 

(Kosova Sot)