Ndarja e Kosovës me VULËN E DESPOTIT THAÇI

  • 20 November 2018 - 07:48
Ndarja e Kosovës me VULËN E DESPOTIT THAÇI

Kelmendi: Hashim Thaçit ka shkelur nenet 120 -125 të Kodit Penal të Kosovës, e ku dënimet janë deri me burg të përjetshëm

"Qëllimi i vetëm i Hashim Thaçit në dialog me Serbinë është ndarja e Kosovës, për të shpëtuar lëkurën e tij nga Gjykata Speciale. Për të arritur këtë qëllim, Thaçi po i shantazhon qeveritarët aktualë dhe partitë politike, vetëm e vetëm që të mos e pengojnë në pazarin e tij me Aleksandar Vuçiqin për ndarjen e Kosovës. Tendenca e Thaçit është që të gjitha marrëveshjet private me Vuçiqin t'i konsiderojë si marrëveshje obligative për Kosovën, duke bërë presion të paparë ndaj institucioneve të shtetit, përkatësisht Kuvendit dhe Qeverisë, nën kërcënimet për izolim, siç ndodhi edhe me rastin e demarkacionit me Malin e Zi, i cili, edhe pse u kundërshtua për 3 vjet, të njëjtit që e kundërshtuan e pranuan sapo e morën pushtetin, pasi që ambasadat ua ndalën edhe dhënien e vizave politikanëve të korruptuar dhe të shantazhuar kosovarë", thotë analisti Florim Zeqa për "Kosova Sot" 

Analistët politikë dhe qytetarët vazhdojnë të shqetësohen se si qëllimi i vetëm i Hashim Thaçit është që dialogu me Serbinë të përfundojë me ndarjen e Kosovës. Sipas analistëve ngrihet edhe shqetësimi tjetër, frika se për të arritur këtë qëllim presidenti ka filluar t'i shantazhojë edhe qeveritarët aktualë, partitë politike, si dhe qeveritarët, vetëm e vetëm që të mos e pengojnë në pazarin e tij me Aleksandar Vuçiqin për ndarjen e Kosovës. Prandaj, është një bindje e analistëve se mashtrohen të gjithë politikanët që mendojnë se nëse presidenti Thaçi merret vesh me Vuçiqin, për diçka që nuk e ka mbështetjen e tyre dhe të shumicës në Kosovë, do ta rrëzojnë në Kuvend, pasi që përvoja ka treguar se krejt çka Thaçi ka marrë si obligim do të konsiderohet si obligim i Kosovës dhe do të ketë presion të paparë ndaj Kosovës që ta zbatojë, me kërcënime edhe për izolim, siç ndodhi edhe me rastin e Demarkacionit me Malin e Zi, i cili edhe pse u kundërshtua për 3 vjet, të njëjtit që e kundërshtuan, e pranuan sapo e morën pushtetin, pasi që ambasadat ua ndalën edhe dhënien e vizave. Prandaj,sipas analistëve, kjo është tani arsyeja se pse Thaçi po insiston që ta bëjë marrëveshjen me Vuçiqin si një akt të kryer dhe t'i imponohet Kosovës, vetëm e vetëm që ai të heqë barrën e Gjykatës Speciale. Analistët  theksojnë se në këtë qëllim të Thaçit, më së shumti i ka shkuar për shtati kinse mosinteresimi nga kryeministri Haradinaj, i cili me të dyja duart e dorëzoi dialogun tek Hashim Thaçi. Akoma më shqetësues,sipas analistëve, bëhet sjellja "tolerante", sidomos nga opozita, por edhe pozita, që njeriu që mban përgjegjësinë kryesore për të gjitha dëmet që i ka shkaktuar Kosovës, gjatë gjithë procesit të negociatave me Serbinë, prej 2011 e deri më sot, e që është Hashim Thaçi , të bëjë pazare me shtetin e Kosovës, vetëm e vetëm që ai t'i shpëtojë Gjykatës Speciale. Kjo,sipas tyre, për faktin se nuk është rastësi ajo që ndodhi, që gjatë gjithë kohës që Hashim Thaçi ka qenë në pushtet, pra nga viti 2011 në deri në vitin 2017, gjatë dialogut me Serbinë, ku janë nënshkruar diku 33 marrëveshje dhe shumica prej tyre bien ndesh me interesat e qytetarëve të Republikës dhe me vetë Republikën e Kosovës, përfshirë këtu në fund edhe marrëveshja për 'Zajednicën' që është përgjegjësi kryesorë për tendencën për të bosnjëzuar Kosovën. Gjithë kjo karrierë politike në krye të institucioneve të shtetit nga Hashim Thaçi, sipas analistëve, e ka sjellë Kosovën në këtë situatë skandaloze, qysh kur ka pranuar që me marrëveshjen e parë të vitit 2013 të obligohet që të krijojë "ZAJEDNICË" të komunave me shumicë serbe. Guraziu: Qëllimi i vetëm i Hashim Thaçit është dialogu me Serbinë, me rezultat ndarjen e Kosovës! Sipas analistit politik Ragip Guraziu, përgjegjësi mban edhe kryeministri Haradinaj, i cili me të dyja duart e dorëzoi dialogun tek Hashim Thaçi. Sipas tij, njeriu që mban përgjegjësinë kryesore për të gjitha dëmet e shkaktuara që i ka bërë Kosovës gjatë gjithë procesit të negociatave me Serbinë, prej 2011 e deri më sot, është Hashim Thaçi dhe atij tani po i lejohet nga të gjithë që të vazhdojë të bëjë pazare me shtetin e Kosovës, vetëm e vetëm që ai t'i shpëtojë Gjykatës Speciale."Dhe ky është qëllimi i vetëm i Hashim Thaçit, dialogu me Serbinë me rezultat ndarjen e Kosovës. Kështu ai, Hashim Thaçi, po i shantazhon të gjitha partitë politike, pozitë dhe opozitë, edhe qeveritarët aktualë, vetëm e vetëm që të mos e pengojnë në pazarin e tij me Aleksandar Vuçiqin për ndarjen e Kosovës. Hashim Thaçi po arrin që t'i mashtrojë edhe disa politikanë në Kosovë, të cilët mendojnë se nëse presidenti Thaçi merret vesh me Vuçiqin për diçka që nuk e ka mbështetjen e tyre dhe të shumicës në Kosovë, do ta rrëzojnë në Kuvend. Unë e them se ata po mashtrohen duke pritur një zhvillim të tillë pasi që dihet mirëfilli se përvoja ka treguar që krejt çka Hashim Thaçi ka marrë si obligim, do të konsiderohet si obligim i Kosovës dhe do të ketë presion të paparë ndaj Kosovës që ta zbatojë, me kërcënime edhe për izolim, siç ndodhi edhe me rastin e Demarkacionit me Malin e Zi, i cili edhe pse u kundërshtua për 3 vjet, të njëjtit që e kundërshtuan e pranuan sapo e morën pushtetin, pasi që ambasadat ua ndalën edhe dhënien e vizave dhe tanimë kjo s'do më shumë koment, kjo është një fakt që shihet e dihet", theksoi Guraziu për "Kosova Sot". Sipas tij, arsyeja e vetme është kjo e Thaçit, që po insiston që ta bëjë marrëveshjen me Vuçiqin si një akt të kryer dhe t'i imponohet Kosovës, vetëm e vetëm që ai të heqë barrën e Gjykatës Speciale, pasi që kjo më së shumti i ka shkuar për shtati, nga kinse mosinteresimi i kryeministrit Haradinaj, i cili me të dyja duart e dorëzoi dialogun tek Hashim Thaçi. "Kështu tani po lejojnë, si në heshtje, edhe pozita edhe opozita, që njeriu që mban përgjegjësinë kryesore për të gjitha dëmet që i ka shkaktuar Kosovës, gjatë gjithë procesit të negociatave me Serbinë, e që është Hashim Thaçi, të bëjë pazare me shtetin e Kosovës, vetëm e vetëm që ai t'i shpëtojë Gjykatës Speciale", tha Ragip Guraziu për "Kosova Sot". Sipas tij, zanafilla e dëmeve të Thaçit kundër shtetit të Kosovës fillon që nga viti 2011e deri në vitin 2017, ku gjatë dialogut me Serbinë janë nënshkruar diku 33 marrëveshje dhe shumica prej tyre bien ndesh me interesat e qytetarëve të Republikës dhe me vetë Kushtetutën e Republikës së Kosovës, duke përfshirë këtu në fund edhe marrëveshjen për 'Zajednicën', që Hashim Thaçi është përgjegjësi kryesor për tendencën që ta bosnjëzojë Kosovën. Qytetarët të irrituar nga kreu i shtetit Edhe qytetarët e anketuar nga gazetari janë të sigurt se qëllimi i vetëm i Hashim Thaçit në dialogun me Serbinë është që ky dialog të përfundojë me rezultat që konsiston në ndarjen e Kosovës, prandaj edhe i pari në pozitën e kreut të shtetit, Hashim Thaçi, ka nis e po i shantazhon edhe qeveritarët aktualë dhe partitë politike, vetëm e vetëm që të mos e pengojnë në pazarin e tij me Aleksandar Vuçiqin për ndarjen e Kosovës. Qytetari Selver Lenjani është i sigurt që nëse Hashim Thaçi rrëshqet dhe e bën një marrëveshje të dëmshme, që rrezikon kufijtë e tanishëm të shtetit të Kosovës, do të ndodhë revolta qytetare, do të detyrohen të shpërbëhen Qeveria dhe Kuvendi, kurse presidenti do të detyrohet të kërkojë azil politik, ku t'i shohin sytë e ku ta dërgojnë këmbët, nëse arrin të ikë."Presidenti me punën dhe angazhimin që po e bën në vazhdimësi gjatë gjithë këtyre viteve po angazhohet vetëm për t'i mbajtur zhagun presidentit serb, Aleksandar Vuçiq, dhe atij rus, Vladimir Putin. Ai këto veprime po i bën edhe duke tentuar që t'i shantazhojë të gjithë që të mos e pengojnë në këtë punë të tij të mbrapshtë, duke filluar nga qëllimi për ta shantazhuar kryeministrin, kryetarin e Kuvendit dhe deputetët e Kuvendit të Republikës së Kosovës, për t'i shantazhuar të gjithë ministrat e zëvendësministrat, mirëpo unë si qytetar i them që le ta harrojë këtë ëndërr që ky po e sheh me sy hapur. Hashim Thaçi duhet ta harrojë këtë angazhim të tij kundër shtetit të Kosovës, sepse do të jetë i vetmuar në këtë që po e bën. Përndryshe, nëse shkon deri në fund, ai do ta sjellë punën që të detyrohet të ikë nga ky shtet, ashtu sikur që iku Nikolla Gruevski nga Maqedonia, por ka rrezik që në tentativën e tij për të ikur nuk do ketë se ku të shkojë, sepse mund të mos e pranojnë as Rusia, as Beogradi e as Stambolli, sepse një njeri që e tradhton shtetin e vet, që e jep tokën e shtetit të tij dhe e nëpërkëmb interesin e popullit të vet, secili do ta pyesë se për çka paske luftuar?", u shpreh ai."Ai duhet të dijë që për shkak të politikës së dëmshme në interes të shtetit të Kosovës po kalojnë tani plot 19 vjet dhe në prag të 20 vjetorit të këtij realiteti politik nuk kemi pasur politikë më të gabuar në qeverisjen e vendit. Këtë politikë ka vite që po e udhëheq vetë presidenti Thaçi, fillimisht si kryeministër e tani si president, së bashku me këto parti politike që i shkojnë mbrapa. Falë këtyre mbrapshtive, politikës së mbrapshtë, që 19 vjet dhe akoma nuk kemi liberalizim të vizave, që 19 vjet akoma nuk jemi në Interpol dhe jemi shumë larg BE-së dhe shumë larg anëtarësimit në NATO, akoma më larg anëtarësimit në OK", potencoi Lenjani për "Kosova Sot". Kundër këtyre pazareve të pista dhe për interesin personal, me territorin e shtetit, është deklaruar edhe qytetari Turhan Rifati."Duhet me qenë unik, me qenë serioz dhe me pas një ide, e ideja jonë është Kosova kjo që është dhe që është shpallur shtet i pavarur, i njohur ndërkombëtarisht në kufijtë që i kemi, e që na kanë çliruar miqtë ndërkombëtarë së bashku me gjakun e derdhur për liri nga djemtë tonë më të mirë, lavdi u qoftë atyre. Prandaj, në këtë shtet duhet të qëndrojmë e ta mbrojmë deri në fund", potencoi ai për "Kosova Sot". Sipas Rifatit, këtë më së miri mund ta bëjë nëse flet zëri i popullit, nëse vërtet populli i përvuajtur është vetëdijesuar mjaftueshëm dhe ngrihet për të mos lejuar më shumë copëtimin e shtetit të Kosovës.

KELMENDI: THAÇI E KA SHKELUR ASHPËR KUSHTETUTËN E REPUBLIKËS! Sipas prof. Muhamet Kelmendit, edhe në takimin e fundit, midis Hashim Thaçit dhe kriminelit Vuçiq, dolën në dritë shumë çështje që kanë domethënie të rëndë dhe Thaçi duhet të përgjigjet, madje edhe penalisht për veprimet që po i bën në dëm të shtetit. Sipas Kelmendit, Hashim Thaçit askush nuk po ia ndalon dhe as që e diskuton detyrën si president të ketë takime të karakterit ndërkombëtar, sepse kjo e drejtë buron nga Kushtetuta dhe këtë e ka për detyrë z. Thaçi ta kryejë konform normave kushtetuese, mirëpo çështja po ndërlikohet dhe po merr karakter të veprës penale, të dënueshme, kur në diskutim me shtetin kriminel serb janë në pyetje diskutimet për territoret e Republikës."Me këtë edhe kjo çështje nuk mundet dhe nuk është në kompetencë të z. Thaçi si president i Republikës. Z. Thaçi e shpëton vetëm një veprim: Ai duhet të ftojë urgjentisht seancën e Kuvendit të Kosovës dhe tërësisht në detaje të informojë përfaqësuesit e popullit me diskutimet dhe temat. Ai e ka shkelur ashpër Kushtetutën e Republikës dhe për mendimin tim nuk ka mundësi kurrsesi të vazhdohet diskutimi me kriminelin Vuçiq në Bruksel pa e kryer detyrën madhore, atë të marrjes së mandatit nga Kuvendi. Çdo prekje e territorit, qoftë edhe me centimetra, nuk është çështje e z. Thaçi. Ajo është çështje e Kuvendit dhe e popullit të Republikës. Po çka të thuhet për konstatimin e z. kryeministër? Ai tha:"Unë nuk di se lidhur me çka po diskuton z. Thaçi në Bruksel... Nuk i di temat...". Kjo tregon mjaft. Z. Thaçi kështu e ka shkelur ashpër Kushtetutën e Republikës. Ai disa punë të mëdha dhe të karakterit antikushtetues i ka kryer dhe vazhdon me shkelje të Kodit Penal të Republikës së Kosovës", vlerësoi Kelmendi. Sipas analistit Muhamet Kelmendi, janë disa shkelje nga presidenti. 1. Normat kushtetuese, nga neni 1 e deri te nenet 17-31, si dhe te kompetencat e veta, si president. Mosbashkëpunimi me Kuvendim dhe me Qeverinë është cenim i rëndë i punëve dhe ashtu bëhet shkelje e rëndë e normave kushtetuese. Aq më parë kur temë e diskutimit, siç ka deklaruar vetë z. Thaçi, është "korrigjimi" i kufijve me shtetin okupues serb. 2. Z. Thaçi nuk e di apo e di dhe me vetëdije vepron në kundërshtim me normat kur e bën temë të diskutimit territorin e Kosovës. Pra, për nga natyra e veprimeve si president, kjo nuk ka karakter të përfaqësimit të shtetit, por hyn në punë të brendshme, e ku kompetencat i kanë Kuvendi, Qeveria dhe sovrani (populli), si dhe 3. Me këtë veprim ka shkelur nenet 120 -125 të Kodit Penal të Kosovës, e ku dënimet janë deri me burg të përjetshëm. Pra, kemi kështu vepra e vepra të dënueshme të z. Thaçi. Por, nëse ka mbetur ndonjë grimcë e ndërgjegjes, duhet z. Thaçi të rikthehet te Republika dhe të mbrojë sovranitetin dhe integritetin territorial të Kosovës. Çdo vazhdim i mëtejshëm në formën e tillë e bën recidivist penal. Shteti duhet të veprojë", tha Muhamet Kelmendi për "Kosova Sot".

ZEQA: QËLLIMI I VETËM I HASHIM THAÇIT NË DIALOG ME SERBINË ËSHTË NDARJA E KOSOVËS PËR TË SHPËTUAR LËKURËN E TIJ NGA GJYKATA SPECIALE! Analisti politik Florim Zeqa thotë se vetëparalajmërimet e Hashim Thaçit se nuk do të ketë vija të kuqe dhe se do ketë kompromis të dhimbshëm me Serbinë, për të vazhduar me konferencat e tij për media, në të cilat nuk thotë asgjë përveç pazarit me territorin e Republikës së Kosovës flasin qartë për pozicionin inferior dhe nënçmues që ka Kosova në dialogun e Brukselit."Qëllimi i vetëm i Hashim Thaçit në dialog me Serbinë është ndarja e Kosovës për të shpëtuar lëkurën e tij nga Gjykata Speciale. Për të arritur këtë qëllim, Thaçi po i shantazhon qeveritarët aktualë dhe partitë politike vetëm e vetëm që të mos e pengojnë në pazarin e tij me Aleksandër Vuçiqin për ndarjen e Kosovës. Tendenca e Thaçit është që të gjitha marrëveshjet private me Vuçiqin, t'i konsiderojë si marrëveshje obligative për Kosovën, duke bërë presion të paparë ndaj institucioneve të shtetit, përkatësisht Kuvendit dhe Qeverisë, nën kërcënimet për izolim, siç ndodhi edhe me rastin e Demarkacionit me Malin e Zi, i cili edhe pse u kundërshtua për 3 vjet, të njëjtit që e kundërshtuan e pranuan sapo e morën pushtetin, pasi që ambasadat ua ndalën edhe dhënien e vizave politikanëve të korruptuar dhe shantazhuar kosovarë", u shpreh ai. "Kjo në fakt është edhe arsyeja pse Thaçi po insiston që ta bëjë marrëveshjen me Vuçiqin si një akt të kryer dhe t'i imponohet Kosovës, vetëm e vetëm që ai të heqë barrën e Gjykatës Speciale. Pa dyshim kësaj loje djallëzore të Hashim Thaçit më së shumti i ka shkuar për shtati kinse mosinteresimi i kryeministrit Haradinaj për dialogun, i cili me të dyja duart ia dorëzoi dialogun presidentit kuisling Hashim Thaçi. Vërtet është i dhimbshëm dorëzimi i opozitës, por edhe pozitës, shoqërisë civile dhe pjesës dërmuese të medieve ndaj njeriut që mban përgjegjësinë kryesore për të gjitha dëmet që i ka shkaktuar Kosovës, gjatë gjithë procesit të negociatave me Serbinë, prej 2011 e deri më sot, e që është Hashim Thaçi, i cili pamëshirshëm bën pazare me shtetin e Kosovës, vetëm e vetëm që ai t'i shpëtojë Gjykatës Speciale", vijoi më tutje Zeqa."Të vetmit që po e ngrenë zërin lart kundër ndarjes së Kosovës janë mediet e pavarura dhe intelektualët nga mërgata jonë, të cilët në forma të ndryshme janë duke i bërë thirrje bashkësisë ndërkombëtare për mosmbështetjen e veprimeve antishtetërore dhe antikombëtare të Hashim Thaçit. Kosovën në këtë situatë skandaloze e ka sjellë pikërisht Hashim Thaçi, që nga momenti kur ka pranuar që me marrëveshjen e parë të vitit 2013 të obligohet që të krijojë "ZAJEDNICË" të komunave me shumicë serbe. Pesë vjet më pas, Kosova po shkon drejt ndarjes, për shkakun se Hashim Thaçit dhe klasës politike servile që nuk po e kanë guximin ta ndalojnë, për shkak të shantazheve që Thaçi po ua bën pandalshëm me kërcënime dhe presion të humbjes së privilegjeve që për një dekadë rresht i gëzojnë prej tij në pushtetin e korruptuar dhe tej inkriminuar kosovar", tha analisti Florim Zeqa.

BADALLAJ: KUISLINGU NUK NDALET ME KONFERENCA Analisti Reshat Badallajt thotë se Hashim Thaçi jo vetëm që po i shantazhon qeveritarët, por ky me pazaret e tij të pista, që është duke bërë me Aleksandar Vuçiqin në dëm të Kosovës, gjithmonë është duke shkelur edhe Kushtetutën e vendit. "Hashim Thaçi ka marrë udhën e mbrapshtë, që do të thotë ndarjen e Kosovës. Heshtja e Kuvendit për ta ndalur këtë matrapaz do të thotë se është nën kontrollin e tij dhe për turp tregohet shumë i pafuqishëm për të reaguar për këtë që është e rëndësishme dhe e rrezikshme në dëm të vendit. Dhe, politikanët në qoftë se besojnë se Hashim Thaçi këtë punë e kryen në të mirë të vendit mashtrohen shumë keq, sepse veprimet e tij që ka zhvilluar për Kosovën gjithmonë kanë treguar se është dalë humbës, i papjekur dhe ishin në dëm të vendit. Prandaj, duhet vepruar me kohë se nesër do të jetë vonë, ashtu sikur që ndodhën rastet e mëparshme, 'Zajednica' dhe falja e 8200 hektarëve tokë Malit të Zi dhe nuk u bë asgjë.Tashmë nuk është vështirë për të kuptuar se ky kuisling është duke i bërë këto veprime vetëm e vetëm që të shpëtojë lëkurën e tij nga Gjykata Speciale. Fatkeqësia është që opozitë të mirëfilltë nuk ka në Kosovë, ajo është e vdekur. Nuk mund të ndalet kuislingu me konferenca për shtyp, duke i çuar selam nga zyrat e këtyre bandave dhe ky po vepron pa ia turbulluar ujin askush. Këta e dinë se edhe vetë ishin ortakë me të, se ky kuisling pazaret me Serbinë i bën më tepër se një decenie dhe asgjë nuk është bërë në interesin e vendit dhe të qytetarëve, vetëm se e bëri vendin KANTONE- KANTONE. Shumë kohë ky kuisling është tallur me popullin, sepse u pa se ndryshe flet dhe ndryshe vepron. Klasa politike në Kosovë është treguar disa vjet dhe po tregohet qyqare dhe mjerane që po u frikohet shantazheve të këtij kuislingu edhe kur janë në pyetje interesat shtetërore dhe kombëtare", tha Badallaj për "Kosova Sot". 

(Kosova Sot)