Edhe 61 dosje me 100 dëshmi PËR KRIMET E LUFTËS

  • 20 November 2018 - 08:02
Edhe 61 dosje me 100 dëshmi PËR KRIMET E LUFTËS

Dorëzohet kontingjenti i shtatë

"Dorëzimi i këtyre dosjeve ka pasur efekt, pasi Policia e Gjakovës ka filluar të marrë në pyetje dëshmitarët. Por, ju njoftoi se dorëzimin e dëshmive do ta bëjmë edhe viteve të ardhshme", u shpreh Shkëndije Hoda, udhëheqëse e Grupit të Shoqërisë Civile për grumbullimin e dëshmive për krime lufte

P ërfaqësueset e Grupit të Shoqërisë Civile për grumbullimin e dëshmive për krime lufte dhe përgatitjen e kallëzimeve penale kundër kriminelëve serbë gjatë luftës së viteve 1998/99, që ditën e hënë për herë të shtatë kanë dorëzuar kallëzime penale kundër kriminelëve serbë, në Prokurorinë Speciale të Republikës së Kosovës- Departamenti për Krime Lufte. Shkëndije Hoda, udhëheqëse e këtij grupi, tha se kanë dorëzuar të shtatin kontingjent me 61 dosje me rreth 100 dëshmi. "Dorëzimi i këtyre dosjeve ka pasur efekt, pasi Policia e Gjakovës ka filluar të marrë në pyetje dëshmitarët. Por, ju njoftoi se dorëzimin e dëshmive do ta bëjmë edhe viteve të ardhshme", u shpreh ajo. Sipas Hodës, pesë kallëzime penale ndaj Serbisë për krime lufte në Kosovë janë dorëzuar më 28 qershor të këtij viti në Prokurorinë Speciale. Kallëzimet janë dorëzuar në Departamentin për Krime Lufte, që udhëhiqet nga prokurorja speciale Drita Hajdari. Analisti politik Ibrahim Kelmendi, për gazetën "Kosova Sot", thotë se shtetet e tjera i ndjekin kriminelët gjithandej në botë, ndërsa Kosova pamundëson hetimin e krimeve. "Këtë e pata dëgjuar kur pyeta, si duhet të formulohet padia për djegie e rrafshim të shtëpisë tonë, kur bisedova me Nanën që të ishte paditëse, meqë ishte pronare juridike. Gjithandej kam lutur të gjithë ata që kishin civilë të vrarë dhe shtëpi të djegura, që të bënin padi, qoftë edhe vetëm si dëshmi faktike, pavarësisht nëse nuk do të mund të zbuloheshin e dënoheshin kriminelët", theksoi më tej ai. Asnjë aktakuzë e ngritur Analisti politik Ali Hertica, për gazetën "Kosova Sot", thotë se sfidat me të cilat është ndeshur sistemi i drejtësisë që nga miratimi i Kushtetutës kanë qenë nga më të ndryshmet. "Kujtojmë se Prokuroria Speciale e Kosovës gjatë vitit 2017 kishte nxjerrë 57 urdhra për arrestimin e shtetasve serbë nën dyshimet se kanë kryer krime lufte, por asgjë nga kjo gjykatë deri më tash nuk ngrit,as aktpadi ndaj Serbisë për gjenocidin ndaj shqiptarëve. Por, e mira është se tani përfaqësueset e Shoqërisë Civile grumbulluan me mijëra dëshmi për krime lufte dhe përgatitjen penale kundër kriminelëve serbë gjatë luftës së viteve 1998/99, dhe kjo është për herë të shtatë që do të dorëzojnë kallëzime penale kundër kriminelëve serbë, në Prokurorinë Speciale të Republikës së Kosovës, por mbetet nën mëshirën këtij institucioni të drejtësisë dhe mbesim me shpresën se ndoshta nuk do të ketë ndikim politika edhe në punën e Departamenti për Krime Lufte", u shpreh ai. Ndërsa, analisti i politik Shefik Shkodra, për gazetën "Kosova Sot", thotë se grumbullimi i dëshmive për krime të luftës në Prokurorinë e Gjykatës Speciale (1998/99) të serbëve, nga Grupi i Shoqërisë Civile, me gjasë edhe më tutje nuk do të merren në shqyrtim. "Të gjithë kriminelët nga ana e Serbisë do të jenë të qetë, Gjykata Speciale nuk funksionon dhe nuk do të merret me këto krime, sepse kjo Gjykatë do të jetë nën komandën e politikës, këtë politikë që e bëjnë përfaqësuesit institucionalë. Ministria e Drejtësisë, përkatësisht ministri i këtij dikasteri, vetëm fjalë të kota bën, në anën tjetër, pa ndërprerë merr urdhrat nga shefat e politikës", vlerësoi ai. Qytetarët, të zhgënjyer me indiferencën e shtetit Krahas analistëve, edhe qytetarët e anketuar thonë se janë të habitur me indiferencën e institucioneve të drejtësisë ndaj krimeve serbe. Qytetari Ramadan Ferizi nga Prishtina, për gazetën" Kosova Sot", thotë se gabimi më i madh i të gjitha garniturave të pushtetit shqiptar të pasluftës në Kosovë ka qenë heshtja e organeve të drejtësisë ndaj ndjekjes së kriminelëve serbë dhe krimeve të tyre në Kosovë. Prandaj, vlerësoj se zbardhja e kësaj çështjeje ka qenë dashur që të kushtëzohet para fillimit të bisedimeve të Kosovës me Serbinë që po mbahen në Bruksel", theksoi ai. Edhe qytetari tjetër nga Prishtina Hakif Hamiti, për gazetën " Kosova Sot", thotë se fajtore për këtë heshtje janë krerët e institucioneve të drejtësisë në Kosovë, që për 19 vjet me radhë kanë hequr dorë nga ky veprim i fillimit të ndjekjes, sepse ata kanë qenë në kontinuitet nën instruksionet dhe ndikimet e të gjitha garniturave të pushtetarëve të pasluftës, të cilët qëllimisht edhe nuk bën asgjë në ndjekjen e krimeve serbe të luftës. "Është për t'u përshëndetur veprimi i drejtueseve të Grupit të Shoqërisë Civile për grumbullimin e dëshmive për krime lufte dhe përgatitjen e kallëzimeve penale kundër kriminelëve serbë gjatë luftës 1998/99, që për herë të shtatë të hënën kanë dorëzuar në Prokurorinë Speciale të Kosovës disa kallëzime penale kundër kriminele serbë", potencoi ai. Sipas Hamitit, me veprimin e tyre OJQ-të po ua çelin sytë me gishta organeve të drejtësisë se si duhet vepruar. 

HEZITIMI I DREJTËSISË "Institucionet e drejtësisë sikur po hezitojnë, duke qenë nën një ndikim dhe instruksion të pushtetarëve dhe të vetë krerëve të politikës, sikurse të jetë diçka e qëllimshme për të marrë këtë hap për t'i ndjekur kriminelet serbë të luftës", u shpreh Ali Hertica për "Kosova Sot". INSTITUCIONET E MANIPULUARA "Institucionet e (ç)drejtësisë nuk ishin krejt të paafta për t'i shqyrtuar paditë për krime, por ishin viktimë e përcaktimit, se meqë ishin aq shumë kriminelë dhe nuk ishin më në Kosovë, nuk duhet as të angazhohen", tha Ibrahim Kelmendi për "Kosova Sot". 

(Kosova Sot)