Sekretari i INTERPOL-it: Serbia e shantazhoi INTERPOL-in për Kosovën

  • 20 November 2018 - 09:49
Sekretari i INTERPOL-it: Serbia e shantazhoi INTERPOL-in për Kosovën

Sekretari i përgjithshëm i INTERPOL-it, Jurgen Shtock, ka theksuar se Serbia ka shantazhuar stafin e INTERPOL-it në lidhje me anëtarësimin e Kosovës. Këtë shantazh, sipas tij, Serbia e ka bërë nëpërmjet mediave.

Në fjalën e tij ku po diskutohet për anëtarësimin e Kosovës, ai ka folur edhe për kriteret që duhet plotësuar.

Në këto momente po lexohet aplikacioni i Kosovës.

Në Dubai po zhvillohen punimet e Asamblesë së Përgjithshme të INTERPOL-it, ku pjesë e agjendës së sotme është edhe votimi për anëtarësimin e Kosovës në këtë organizatë.

Aktualisht kanë nisur punimet e mbledhjes së sotme, ku në rast të votimit pozitiv Kosova do të shndërrohet në anëtarin e 194-të në INTERPOL.

Vendit i duhen 2/3 e votave të Asamblesë së Përgjithshme për t’u bërë pjesë e mekanizmit më të madh policor në botë. Votimi do të bëhet në mënyrë të fshehtë nga secili shtet anëtar, ndërsa diskutimet pritet të zgjasin rreth dy orë.

Anëtarësimi në INTERPOL paraqet një arritje të lartë për Kosovën në rrafshin ndërkombëtar, me ç’rast vendi më i ri evropian do të bëhet pjesë e policisë ndërkombëtare.

(Kosova Sot)