PDK me “plan sekret” për rrëzimin e Isa Mustafës?! Ja kënd e angazhoi PDK për ndërmjetësim me opozitën!

  • 30 September 2015 - 22:26
PDK me “plan sekret” për rrëzimin e Isa Mustafës?! Ja kënd e angazhoi PDK për ndërmjetësim me opozitën!

Partia Demokratike e Kosovës e udhëhequr nga Hashim Thaçi e Kadri Veseli po e diskuton mundësinë që të ndërroj partnerët e koalicionit.

Pdk-ja duket të jëtë e pakënaqur në koalicion me LDK-në.

“Drejtuesit e partisë nuk janë të kënaqur me bashkëqeverisjen me LDK-në. Një arsye tjetër është se nuk po i besojnë edhe aq shumë Isa Mustafës. Ka pasur e ka ide që të prishet koalicioni me LDK-në dhe të diskutohen opsionet për hyrje në bashkëqeverisje me partitë tjera”, ka thënë ky burim.

Sipas këtij burimi, PDK gjatë kësaj periudhe 10 mujore të koalicionit me partinë e Isa Mustafës ka dashur që të dëshmoj para faktorit ndërkombëtar se vetëm udhëheqja e vendit nga ana e PDK-së mund të sjellë stabilitet në këtë vend.

“Gjatë qeverisjes së Isa Mustafës ka pasur telashe të mëdha në vend, duke filluar nga janari i këtij viti kur pati protesta të mëdha, pastaj dështimi me Gjykatën Speciale, e deri tek bllokimi i Kuvendit, javën e kaluar. Kjo krizë institucionale, vetëm sa do ta forcoj pozicionin e PDK-së tek ndërkombëtarët”, ka thënë ky burim.

Sipas këtij zyrtari të lartë të PDK-së, duke u thirrur mbi këto argumente, PDK do të mundohet që të bind ndërkombëtarët për largimin e Isa Mustafës nga posti i kryeministrit, prishjen e koalicionit me LDK-në dhe arritjen e marrëveshjes me ndonjërën nga partitë opozitare.

Gjatë kësaj periudhe PDK duket se nuk ka qëndruar duarkryq.

Burime nga dy parti opozitare i kanë thënë Gazetës Blic se Hashim Thaçi u ka dërguar ndërmjetësues këtyre dy partive që të mendojnë opsionin për bashkëqeverisje.

Mirëpo, deri më tani Hashim Thaçi ka marrë përgjigje negative nga njëri prej liderëve opozitarë.
“Lideri ynë i ka thënë JO ndërmjetësuesve, që Hashim Thaçi i ka dërguar për negociata për mundësinë e një bashkëqeverisjeje të re. Vetëm nëse organizohen zgjedhjet e reja, mund të hyjmë në negociata, ishte përgjigja që ka marrë Hashim Thaçi nga ky lider opozitar”, ka thënë ky burim.

Gazeta Blic ka marrë vesh se ndërmjetës kanë qenë disa politikanë nga Shqipëria, që kanë raporte të mira me shumicën e partive politike në Kosovë.

Zyrtarisht për këtë çështje askush nuk ka dashur të flas askush, as nga PDK e as nga LDK e as nga partitë opozitare, me arsyetimin se nuk ka diçka në këtë drejtim.

Para disa ditësh shefi i Grupit Parlamentar, Adem Grabovci i kishte thënë Gazetës Blic se koalicioni është duke funksionuar shumë mirë dhe se sipas tij, ky koalicion do të shkoj deri në fund. Ai është shprehur i bindur se edhe Hashim Thaçi do të zgjidhet në krye të Presidencës në fillim të vitit të ardhshëm.

Një gjë të tillë, sot e ka paralajmëruar edhe djali i Thaçit, Endriti përmes një shënimi në Facebook.

Edhe nga LDK janë të bindur se koalicioni është duke funksionuar për mrekulli. Zyrtarë të LDK-së u kanë thënë medieve se nuk ka telashe në funksionimin e koalicionit.

Mirëpo, burime nga PDK insistojnë se Partia Demokratike e Kosovës, në asnjë moment nuk është ndalur që të kërkoj partner të ri, dhe kësisoj ta prish koalicionin me LDK-në.

Ky burim nuk e ka përjashtuar mundësinë që të negocioj edhe me Vetëvendosjen. Madje, sipas këtij zyrtari, drejtuesit e PDK-së e kanë marrë si sinjal një deklaratë të deputetes së VV-së, Albulena Haxhiu, e cila kishte thënë partia e saj qëllim e ka marrjen e pushtetit.

Mirëpo, Vetëvendosje në vazhdimësi ka deklaruar se asnjëherë nuk do të hyj me PDK-në e Hashim Thaçit dhe të Kadri Veselit, me arsyetimin se pikërisht kjo parti e ka sjellë vendin deri në këtë nivel.

Sidoqoftë, vendi është futur në një krizë institucionale pas bllokimit që opozita i ka bërë Kuvendit në seancën e fundit, ku ishte e paraparë që të raportoj kryeministri Isa Mustafa për marrëveshjet në Bruksel.

Deputetja e AAK-së, Donika Kadaj- Bujupi ka thënë se opozita nuk do të lejoj funksionimin e Kuvendit në rast se nuk tërhiqet nënshkrimi i kryeministrit për marrëveshjen për Asociacionin. Gjatë ditës së djeshme, opozita e ka lëshuar edhe mbledhjen e Kryesisë së Kuvendit.

Në anën tjetër, analistët politik, konsiderojnë se vetëm ndërhyrja e ndërkombëtarëve mund ta nxjerr vendin nga kjo situatë.