Republika e ‘Devollit’, perandoria e krimit

  • 02 October 2015 - 07:30
Republika e ‘Devollit’, perandoria e krimit

Mafio-politika dhe monopolet e një korporate të dyshimtë

Mulaj: Padinë e "Emin Durakut" kundër "Devollit" sipas të gjitha gjasave, sikur në rastin e "Amortizatorëve", e ka bllokuar bashkëvendësi i Devollëve në PDK, ministri skandaloz, Hajredin Kuçi

"Duket sikur jetojmë në Republikën e Devollit e jo të Kosovës, e cila është krijuar me koncesionet pa kusht të PDK-së në kurriz të Kosovës dhe shumicës së qytetarëve të saj. Vetë fakti se PDK-ja është vënë në shërbim të interesave të "Devollit", madje edhe shtetin e sheh si pronë private të pjesshme të kësaj kompanie, lë dyshimet e forta se PDK-ja është dorë e zgjatur e interesave të jashtëligjshme ekonomike, e jo parti politike. Sido që të jetë, edhe LDK-ja në krye me Isa Mustafën dhe ministrat e tij tani mban bashkëfajësinë për vazhdimin e ngritjes kriminale të Perandorisë "Devolli", tha analisti Isa Mulaj për "Kosova Sot" 

Faktin se mbrapa oligarkëve të bizneseve të paligjshme që po ngrihen dhe krijojnë monopole në Kosovë qëndrojnë të fortët e politikës në pushtet e pohon sot pothuajse secili njohës i zhvillimeve politike, i lidhjeve të krimit të organizuar dhe korrupsionit me ekonominë informale dhe politikën, por është një temë tabu që të përmenden emra të përveçëm të individëve dhe të subjekteve të ndryshme politike që e kanë krijuar këtë rrjet mafioz të funksionimit. Edhe pse dyshohet me bazë që prapa Perandorisë "Devolli", të cilët kanë marrë pothuajse gjithçka përmes lidhjeve me pushtetin, duke filluar nga "Z-Mobile" dhe qendra e vetme "monopoliste" e homologimit, shumë licenca për terminale doganore anekënd Kosovës, madje për hatër të tyre, ia hoqën kafesë akcizën, zbardhja e përgjegjësve për ngritjen e kësaj korporate monopolistike ende nuk është bërë. Askush nuk e mohon faktin se Perandoria "Devolli" u shpërblye me dhënien për vetëm 7 milionë euro të Fabrikës së Amortizatorëve, kur ajo vlerën minimale e kishte 100 milionë euro. Ka zëra, sipas të cilëve hisen më të madhe në Perandorinë "Devolli" e ka kryesisht Kryesia e Partisë Demokratike të Kosovës. Jorastësisht në zgjedhjet e fundit në këtë parti u përforcua krahu i Pejës, që edhe ashtu PDK-së vota nuk i bie as sa për tërheqje të vëmendjes, por i sjellin shumë thasë me para.

Kurteshi: Po na shesin krunde në vend të miellit

Sidoqoftë, mungesa e guximit nga rivalët politikë për të apostrofuar emrat konkretë të lidhjes me këtë lloj perandorie biznesore, të rrjetëzuar nga njerëzit e politikës me aksionet e tyre, lë për të dyshuar se nuk është vetëm PDK-ja, gjegjësisht Kryesia e saj, thithësja e vetme e parave të kësaj korporate të dyshimtë, por, siç flitet, edhe parti të tjera thithin e pranojnë nëse jo thasë, së paku çanta me para. Deputetët e opozitës e akuzojnë partinë e parë në pushtet për lidhjet e saja me "Devollin" dhe favoret që i kanë bërë për shkak të lidhjeve të interesit biznesor që mund të kenë me të, por emrat konkretë nuk i veçon askush. Sipas deputetit të Lëvizjes 'Vetëvendosje', Ismail Kurteshi, del se nuk është aspak sekrete lidhja e partive në pushtet, PDK dhe LDK, me Devollët. "Se pas këtyre qendrave qëndrojnë politika, pushtetarët, nuk ka asnjë dyshim. 'Devolli', që po i shet popullit krunde në vend të miellit, ose po paguan doganë për krunde e po importon miell dhe po shpëton pa një ferrë në këmbë, pa përkrahje të pushtetarëve, një gjë e tillë nuk do ta kishte të mundur. Kur kësaj ia shtojmë edhe faktin se skandalet e kësaj kompanie dhe shumë kompanive të tjerave po vazhdojnë edhe nën regjimin e ri të Isa Mustafës, pa përjetuar as një pasojë, është dëshmi e fortë se koalicioni komplet është i involvuar në këto punë të pista dhe nga një qeveri e tillë nuk mund të priten masa konkrete kundër korrupsionit dhe krimit të organizuar", thotë deputeti Ismail Kurteshi për "Kosova Sot". Lidhjen e tillë kriminale me pushtetin e pohon edhe deputetja Teuta Haxhiu, nga AAK-ja, por emrat mbeten për t'u zbuluar. "Me rëndësi është dëmi që po i bëhet vendit me favorizimet që janë bërë dhe kanë treguar se nuk është diçka e re që ka ndodhur, por këta e kanë treguar në vazhdimësi, dhe pikërisht për këtë ne jemi edhe si opozitë që po duam t'i ndalim këta trendë të këqij të qeverisjes se keqe", thotë deputetja Haxhiu. Ajo ka pohuar se nuk është vetëm qeveria e kaluar e PDK-së ajo që ka pasur lidhje kriminale me Devollët, por kjo lidhje vazhdon edhe në koalicionin e tanishëm qeveritare PDK-LDK.

PDK-ja, dorë e zgjatur e interesave të jashtëligjshme ekonomike

Për njohësin e ecurive politike dhe ekonomike në Kosovën e pasluftës, Isa Mulaj, ajo çfarë ngjet me korporatën 'Devolli' dhe ndikimin masiv të saj në ekonomi, politikë, krim të organizuar, kontrabande dhe evazion fiskal dhe shantazh të partive politike, është e ngjashme me kompaninë "Jukos" gjatë mandatit të Jelcinit në Rusi. "Korporata 'Devolli' në fakt është parti politike, është pushtet dhe shtet më vete. Nuk është vetëm PDK-ja e cila është e varur ose kapur, apo më mirë të themi e binjakëzuar, nga kjo kompani. Më shumë duket sikur vetë PDK-ja i është bërë shërbëtore 'Devollit' nga kajtja dhe lakmia për para, gjersa kjo e fundit shikon punën dhe interesin e vet", tha Mulaj. Ai ka pohuar se interesave të 'Devollit' PDKja ua bën vetëm aminin, pasi e para ka alternativë nga e dyta, duke i financuar partitë e tjera, kurse e dyta nuk ka aq alternativa dhe është bërë kukull e së parës. "Kjo u vërtetua edhe me financimin që 'Devolli' i kishte bërë partisë Fryma e Re (FeR). E njëjta kompani mund të ketë mbështetur edhe parti të tjera politike, por gjithnjë për interesa përfituese të saj. Duket sikur ne jetojmë në Republikën e Devollit e jo të Kosovës, e cila është krijuar me koncesionet pa kusht të PDK-së në kurriz të shtetit te Kosovës dhe shumicës së qytetarëve të saj. Në verë të vitit 2000, në një takim në zyrën e tij, Ibrahim Devolli më pati thënë se i kishte dhënë 1 milion marka për UÇK-në. Se a janë përdorur ato para për nevojat e luftës apo atyre u janë shtuar edhe miliona të tjerë nga fondi "Vendlindja Thërret" për ta themeluar Partinë e Prosperitetit Demokratik ose pararendëses të PDK-së mbetet të hetohet dhe sqarohet. Por, vetë fakti se PDK-ja është vënë në shërbim të plotë të interesave të "Devollit", madje edhe shtetin e sheh si pronë private të pjesshme të kësaj kompanie, lë dyshimet e forta se PDK-ja është dorë e zgjatur e interesave të jashtëligjshme ekonomike, e jo parti politike. Përpos Fabrikës së Amortizatorëve, që njihet si rast skandaloz i uzurpimit nën maskën e privatizimit, PDK-ja nëpërmjet Agjencisë Kosovare të Privatizimit i ka legalizuar uzurpimet edhe të pronave në Gjakovë, që kishin status ligjor të transformimit të pronës shoqërore në private, siç ishte rasti i ndërmarrjes "Emin Duraku". Drejtorët e "Emin Durakut" më kanë raportuar se kur kanë shkuar për të hyrë në ndërmarrje janë ndaluar nga rojet e një personi, dora e djathtë e Hashim Thaçit, i cili për momentin gjendet në burg", ka pohuar Mulaj. Ai thotë se tani padia e "Emin Durakut" kundër "Devollit" vazhdon nëpër gjykata, e që po bllokohet nga politika e inkriminuar në drejtësi. Sido që të jetë, sipas Mulajt, edhe LDK-ja në krye me Isa Mustafën dhe ministrat e tij tani mban bashkëfajësinë për vazhdimin e ngritjes kriminale të Perandorisë "Devolli". "Fajet për tolerimin ose bekimin e këtyre rrjedhave i kanë më shumë arrogantët sahanlëpirës dhe llaskuçë në pozitat e pushtetit, si kryeministri Isa Mustafa dhe ministrat Avdullah Hoti e Hykmete Bajrami, më shumë sesa vetë "Devolli". Isa Mustafa është Putin vetëm në arrogancë, e jo në veprime. Putini ia mori Jukos-it Rusinë, ndërsa Isa Mustafa është kryeministër i Republikës së Devollit. Ky është dallimi rrënjësor", thotë Mulaj për "Kosova Sot".

Korrupsioni, përmes kompanive të mëdha

Për profesorin universitar, Nexhmedin Spahiu, lidhja kriminale e politikës me biznesin, edhe me rastin "Devolli", është gjithëpërfshirës, por nuk është lehtë të veçohet kush është më pak e kush më shumë hajn."Se korrupsioni në Kosovë zhvillohet përmes kompanive të mëdha, kjo është shumë e dukshme dhe plotësisht e besueshme. Se kush qëndron në rastin konkret këtë vetëm mund të hamendësoj pasi kjo nuk është fushë e punës sime si njeri që merrem me problemet e shoqërisë sonë në planin makro. Nuk po them se nuk është me rëndësi që mediat t'i zbardhin emrat konkretë të korrupsionit, por kjo nuk është fushë imja. Mua më intereson çrrënjosja e dukurisë negative dhe jo luftimi i një hajni për ta zëvendësuar me një hajn tjetër", thotë analisti Spahiu. Për analistin politik Faik Krasniqi kudo që ekziston monopoli në biznes duhet luftuar pa mëshirë, sepse kjo i shkatërron bizneset e ndershme dhe që nuk janë të kapura nga dhe as të mbështetura nga politika. "Vazhdimi i këtij avazi për 16 vjet pas luftës dëshmon për qëllim të paligjshëm, e sidomos PDK-ja, që është alfa e omega e krimit politik dhe ekonomik në Kosovë, por pa përjashtuar këtu edhe LDK-në që ka bërë ortakëri me kriminelët e biznesit, por edhe parti dhe politikanë të tjerë, që janë bashkë kur vjen puna e përfitimit të jashtëligjshëm", thotë analisti Krasniqi. Eksperti i fushës së ekonomisë, Xhevdet Neziraj, ish-deputet në Kuvendin e Kosovës, nuk e mohon faktin që lidhjet kriminale të politikës me shumë procese të privatizimit dhe favorizimit të kompanive ku ata kanë pasur interes datojnë që nga fillimi i këtij procesi dhe kjo ka funksionuar edhe me favoret që i janë bërë "Devollit" nga PDK-ja, si parti në pushtet, për shkak të lidhjeve të interesit të individëve të caktuar në parti. "Po flitet dhe unë këtë po e lexoj edhe nëpër gazeta, po e vlerësoj sipas lëvizjeve të individëve, mirëpo ndonjë fakt të prekshëm nuk e kam. Edhe pse tani nuk jam deputet, pa argumente nuk është mirë të flas, mirëpo kur po i sheh të gjitha këto manipulime, kur i sheh të gjitha këto që po shkojnë në drejtim të diqkafit, po dihet se diçka te tille, megjithatë ka dhe ekziston", thotë Neziraj për "Kosova Sot". Ndërsa, profesor Riza Smaka thotë se për lidhjet e politikës me Devollët dhe aferën e "Z-Mobile" e ka ngritur shqetësimin personalisht kur ka qenë deputet i Kuvendit, por që atëherë është heshtur kjo çështje, për shkak të mbulimit nga interesi i politikës -PDK-së. "Nuk është rasti i parë as i fundit kur Qeveria favorizon bizneset e caktuara nga profitabiliteti personal i kryeministrit, i ministrit apo i zëvendësministrave. Çështja e 'Z-Mobile' dhe ajo e Amortizatorëve janë një çështje akoma e hapur dhe janë ngritur edhe në Kuvend, edhe kur unë kam qenë deputet në Kuvend dhe praktikisht është zvarritur. Kur e marrim situatën në këtë kontekst del se Qeveria nuk i përfill kriteret elementare të barazisë dhe ligjërisë ekonomike për interesin e përgjithshëm", ka thënë ai.  (KOSOVA SOT)