Grupi i LDK-së në Prishtinë fton kryetarin t’i kthehet kryeqytetit

  • 03 October 2015 - 21:36
Grupi i LDK-së në Prishtinë fton kryetarin t’i kthehet kryeqytetit

Grupi i LDK-së në Kuvendin e Prishtinës konsideron se kryetari i Komunës së Prishtinës Shpend Ahmeti po gjen hapësirë mediale gjithandej për të komunikuar me publikun, ndërsa siç thotë LDK në anën tjetër, ka muaj të tërë që nuk ka shkelur në Kuvendin e Komunës dhe kështu i ka ikur debatit parlamentar, si atij për propozim-buxhetin e tij më 29.09.2015.

 “Kryetari i kryeqytetit, në emisionin Argument plus foli për shumëçka, pa e mohuar asnjëherë se subjekti i tij po thërret për dhunë në kryeqytet. Foli edhe për buxhetin që ia aprovoi Kuvendi pa prezencën e tij, pa debat nga ana e tij. Një gjë nuk e tha se Kuvendi i aprovoi disa projekte kapitale për t’i plotësuar kërkesat e qytetarëve dhe për t’i emërtuar projektet brenda 4 mil. që kryetari me qëllim i kishte lënë të paemërtuara, si kalkulim buxhetor dhe financiar, sipas direktivave të zyrave politike të VV”, thuhet në komunikatën e grupit të LDK-së në Kuvendin e Prishtinës.

Ai, siq thuhet në komunikatë i dezinformoi qytetarët se sikur ishte në mbledhjen e fundit të Kuvendit, duke u përgjigjur shkarazi për pikat e urbanizmit mbi Planet rregulluese, duke thënë se vendimet janë të tij.

“Dihet që politikat vijnë nga administrata, sipas drejtorive, e për këto të fundit, të rejat, nuk ka vendim të shkruar, së paku nuk është bërë i ditur për Kuvendin e kryeqytetit. Po e fsheh atë!”, thuhet më tutje në komunikatën e grupit të LDK-së.

Grupi konsideron se kryetari i kryeqytetit brenda një emisioni doli herë nënkryetar i VV e herë kryetar komune, dhe kështu, nga të dy pozitat, të jetë përkrahës i sjelljeve të VV në Kuvendin e Republikës dhe proklamimit të demonstratave (qoftë edhe të dhunshme), siç i kishte përkrahur ato të 27 janarit 2015.

Grupi i LDK-së në Prishtinë, fton kryetarin Ahmeti që t’i kthehet Komunës dhe qytetarëve të saj, si dhe t’i shërbejë qeverisjes së kryeqytetit e jo si nënkryetar i VV t’u shërbejë planeve shkatërruese të Republikës.