Pallati i Rinisë pa pronar, mbetet shkretë

  • 04 October 2015 - 10:38
Pallati i Rinisë pa pronar, mbetet shkretë

Në mungesë të pronarit, “Pallati i Rinisë” për çdo ditë po e humb imazhin nga dëmtimet dhe mungesa e investimeve. Teposhtën kjo ndërmarrje e mori në vitin 2000 nga djegia dhe kontestet gjyqësore sa i përket dëmshpërblimit të pronarëve të lokaleve.

Statusi i Pallatit ende mbetet i pazgjidhur dhe nga viti 2006 administrohet nga Agjencia Kosovare e Privatizimit (AKP), megjithëse Komuna e Prishtinës po synon ta kthejë nën menaxhim.

Menaxhmenti aktual i Pallatit kërkon që statusi i kësaj ndërmarrjeje prej 30 mijë metrash katrorë jetë ndërmarrje publike e menaxhuar nga komuna e Prishtinës dhe Ministria e Kulturës.

Drejtori gjeneral i “Pallatit të Rinisë, Kulturës dhe Sporteve”, Çaush Berisha, për KosovaPress thotë se Pallati vazhdon të jetë pa status dhe aktualisht po menaxhohet nga AKP.

Sipas tij, për mungesë të titullarit nuk ka donacione dhe kredi për rregullimin e pjesës që është shkatërruar nga zjarri i vitit 2000. E dëmtuar tanimë, sipas Berishës, është edhe platoja, e cila po pikon ujë në qendrën e bizneseve.

“Statusi i Pallatit të Rinisë është ende i pa zgjidhur, që nga viti 2006 menaxhohet nga AKP-ja... Kemi vështirësi për arsye se statusi është i pa zgjidhur, nuk po kemi mundësi me tërheq ndonjë donacion ose me hy ndonjë kredi për rregullimin e pjesës që është shkatërruar nga zjarri i vitit 2000. Kështu që sot e kësaj dite ende nuk kemi mundësi me bërë ndonjë investim kapital që të ngjallet Pallati, të rinovohet ajo pjesa e djegur dhe pjesa ku është dëmtuar platoja. Ka pikë ka vështirësi. Ende askush nuk na del në ndihmë”, deklaron Berisha.

Drejtori i Pallatit thotë se Komuna e Prishtinës nuk ka shprehur interesim rreth Pallatit, meqë sipas tij nuk është ende nën juridiksionin e saj.

Berisha pret që të zgjidhet statusi i Pallatit në qendër të Prishtinës, që ka qenë aq atraktiv për rininë.

Drejtori menaxhues thotë se imazhi mund të kthehet nëse është vullneti i mirë edhe i komunës dhe i Qeverisë, duke caktuar titullarin Pallatit për t’i hapur rrugë investimeve.

Berisha thekson se plani i AKP-së nuk dihet ende për pallatin. Kjo, sipas tij, për arsye të mungesës së bordit qe një kohë të gjatë. Mësohet se kjo ndërmarrje nuk mund të privatizohet pasi nuk ka listë poseduese.

Berisha thotë se nëse Pallati privatizohet do të ishte më keq për rininë, meqë përvojat e privatizimit në Kosovë kanë qenë të këqija. Ai beson se me privatizim edhe mund t’i ndërrohet destinimi kësaj ndërmarrje.

“Kjo kishte me qenë e mira e së mirës, që të jetë një kompani publike e cila do të menaxhohet nga komuna edhe nga Ministria e Kulturës Rinisë dhe Sportit. Nëse kjo privatizohet ndoshta do të kishte qenë shumë keq për rininë meqë kemi modele të këqija nga privatizimet e ndryshme. Mund t’i ndërrohet destinimi”, thekson Berisha.

Menaxhementin e kësaj ndërmarrjeje po e preokupojnë edhe vështirësitë financiare me bllokimin e llogarive bankare për këtë Pallat nga procesi gjyqësor të cilin e ka humbur në vitin 2012 nga pronarët e lokaleve për djegien në vitin 2000.

Ndërkaq, zëdhënësi i Komunës së Prishtinës, Xhevdet Pozhari ka thënë Komuna është duke insistuar që me Ligjin për Prishtinën, “Pallati i Rinisë” t’i takojë për administrim Komunës së Prishtinës bashkë me komunat tjera, Obiliqin dhe Fushë Kosovën, që kanë investuar në këtë ndërmarrje shoqërore.

“Kryetari Ahmeti që nga fillimi i mandatit të tij ka kërkuar që kjo ndërmarrje, Pallati i Rinisë të kthehet në kompetenca të Komunës së Prishtinës, pasi që është ndërtuar me fonde, me mjete edhe të qytetarëve të Komunës së Prishtinës, komunës së Obiliqit dhe komunës së Fushë Kosovës. Është pronë shoqërore dhe duhet të administrohet si e tillë nga komuna e Prishtinës bashkë me komunat e tjera ku do të zhvilloheshin aktivitete në interes të publikut... Jemi duke insistuar që në ligjin për Prishtinën kjo çështje të definohet dhe përfundimisht të zgjidhet edhe ky kontest”, thotë zëdhënësi Po zhari.

Ndërsa, edhe zyrtarë të Agjencisë Kosovare të Privatizimit(AKP) ishin kontaktuar nga KosovaPress, por nuk janë deklaruar për gjendjen dhe statutin e Pallatit të Rinisë edhe pse e menaxhojnë këtë ndërmarrje.

Nën ombrellën e Pallatit të Rinisë operojnë rreth 140 biznese, disa salla sportive, ka 120 punëtorë dhe aktivitetin e tyre ushtrojnë 44 klube sportive. 

 

.Shabani/