Cameron kërkon shtimin e dronëve dhe forcave speciale kundër ISIS-it

  • 04 October 2015 - 12:57
Cameron kërkon shtimin e dronëve dhe forcave speciale kundër ISIS-it

Kryeministri britanik David Cameron ka deklaruar për gazetën “Sunday Times” se Londra do të dyfishojë avionët e saj pa pilot që operojnë në Irak dhe Siri, si dhe do të shtojë ndjeshëm numrin e trupave speciale.

Britania do të shpenzojë qindra miliona sterlina në pajisje dhe burime për forcat e veta speciale. Ministria e Mbrojtjes pritet të blejë 20 avionë të rinj pa pilotë të tipit Protector nga Shtetet e Bashkuara të Amerikës.

Këta avionë pa pilotë janë versioni i modelit Reaper që kushtonin 11 milionë sterlina, të cilët i përdor aktualisht Britania e Madhe.

Ata janë përdorur në një numër sulmesh ajrore kundër pjesëtarëve të ISIS-it me origjinë britanike në fillim të këtij muaji.

Cameron, duke folur në prag të konferencës vjetore të partisë së tij, tha se “një nga kërcënimet më të mëdha që ndodhet përpara nesh është kërcënimi nga terrorizmi, çka nënkupton se ne duhet të sigurohemi që të kemi në dispozicion mjetet ushtarake dhe burimet që na nevojiten në këtë luftë dhe konkretisht përforcimin e forcave tona speciale dhe në veçanti, çështja e e avionëve të survejimit”.

Avionët britanikë kanë operuar në Irak prej disa muajsh, ndërkohë edhe trupat speciale britanike njoftohet se operojnë brenda territorit irakian, edhe pse kjo pritet të konfirmohet zyrtarisht. /TopChannel