Me pështjellak për t’u dukur bukur

  • 04 October 2015 - 17:35
Me pështjellak për t’u dukur bukur

Një veshje kombëtare e grave të Dukagjinit kushton deri 1600 euro

Në veshjet kombëtare, sipas grave që merren me to për ta vazhduar traditën, dominon ngjyra e bardhë, e cila kombinohet bukur me të zezën kur bëhet fjalë për veshjen e grave të rajonit të Dukagjinit. Ato në zonën e Rugovës kanë një kolorit shumë më të pasur ngjyrash

Me shekuj u bart nga brezi në brez tradita e veshjes kombëtare të grave të Dukagjinit. Ajo asnjëherë nuk është varfëruar, përkundrazi, varësisht nga fuqia blerëse, kjo veshje ka shkuar duke u pasuruar. Pëlhura e bardhë, e ndonjëherë dhe ngjyrë arre, e thurur në vek nga duart e arta të këtyre femrave të Dukagjinit, pastaj thurja e maramave në vek, stolisja e tyre me një imagjinatë të hollë, qëndisja në pëlhurën e bardhë e lidhësve që së bashku me maramën  janë pjesë që mbështjellin flokët dhe stolisin kokën, janë vetëm disa nga këto veshje që i punojnë gratë e kësaj ane dhe të cilat përpiqen për të ruajtur traditën e moçme. Pështjellakët e thurur po ashtu në vek dhe të qëndisur më pas me dorë që vijnë mbi këmishën e pëlhurës dhe çorapët e leshta me opinga me penj të bardhë, janë pjesët e pandashme te veshjes kombëtare të grave të Dukagjinit. Kjo veshje u trashëgua brez pas brezi dhe deri më tani nuk mund të imagjinohej që një nuse e viseve rurale në Rrafshin e Dukagjinit, por edhe në fshatrat e Rugovës të mos ketë një ose edhe më shumë këso veshjesh të kompletuara. Ani pse ka vite e vite që të pakta janë ato gra e vajza të Dukagjinit dhe të Rugovës, të cilat bartin këto veshje, megjithatë edhe sot e kësaj ditë shumë nga nuset që martohen në zonat rurale në këto vise në pajën e tyre të nusërisë duan të kenë edhe një veshje tradicionale kombëtare. Ato zakonisht i veshin në gazmende të ndryshme, e në veçanti në dasma, në mënyrë që të mos harrohet tradita e lashtë, porse edhe për faktin se duken bukur me këto veshje.

 

Image

“Veshjet kombëtare janë të shenjta”

Nushe Qerreti, 82- vjeçarja nga fshati Zahaq i Pejës, del çdo ditë te tregu i rrobave ku ekspozon për shitje disa nga veshjet e traditës. Ajo thotë se këtë punë e bën që 40 vjet. Nushja merret me veshjet kombëtare të grave dhe të burrave. Ajo thotë se këto veshje janë të shenjta dhe, sipas saj, ato tregojnë fisnikërinë tonë kombëtare, ku kryesisht dominon ngjyra e bardhë, e cila kombinohet bukur me të zezën kur bëhet fjalë për veshjen e grave të Dukagjinit në viset rurale. Sipas saj, veshja e grave ne zonën e Rugovës ka një kolorit shumë më të pasur ngjyrash. Qerreti thotë se dita- ditës po bie numri i atyre grave që po merren me këtë zeje. “Janë disa gra nga Peja, Katundi i Ri dhe nga komuna e Deçanit që akoma merren me këtë punë dhe pas tyre nuk e di se a do të merret kush me këtë zeje”, shprehet ajo. 82- vjeçarja nga Zahaqi i Pejës thotë se puna po e mban atë të fortë dhe nuk do t’i ndahet asaj gjersa të ketë shëndet të mirë..(Më gjerësisht mund t'a lexoni në numrin e sotëm të gazetës KOSOVA SOT)

 

Image
Image