Dy qendra për strehimin e refugjatëve në Gjirokastër

  • 04 October 2015 - 18:50
Dy qendra për strehimin e refugjatëve në Gjirokastër

Vala e madhe e refugjatëve që pritet të mbërrijnë në Shqipëri këtë dimër, ka vënë në lëvizje autoritetet shqiptare në jug të vendit. Ministria e Brendshme ka menduar të vendosë pesë mijë çadra në aerodromin dhe territorin e ish-brigadës së këmbësorisë të Forcave të Armatosura në Gjirokastër.

Kapaciteti pritës i këtyre dy hapësirave është mbi 10 mijë persona, ndërsa pritet edhe ngritja e infrastrukturës me 3 mjekë, 4 infermierë dhe 2 kuzhinierë. Gjirokastra është një ndër qytetet shqiptare që preket më së shumti nga lëvizjet e refugjatëve, kjo për shkak se është vendi i parë ku klandestinët zbarkojnë nëpërmjet pikës kufitare të Kakavijës.

Më herët Ministria e Punëve të Brendshme kishte kërkuar prej autoriteteve vendore të Gjirkostarës, gjetjen e dy hapësirave të mëdha, për strehimin e refugjatëve sirianë apo dhe të vendeve të tjera në Lindjen e Mesme që largohen nga konfliktet civile. Institucioni i Prefektit të Gjirokastrës siguroi terrenin në fushën e Aerodromit të Gjirokastrës e cila gjendet përbri lumit Drino.

Ndërsa një tjetër hapësirë është edhe fushë-pushimi që ndodhet brenda territorit të ish Brigadës së Këmbësorisë së Forcave të Armatosura, përbri kilometrit të dytë në aksin nacional Gjirokastër-Tepelenë.

Me afrimin e dimrit, refugjatët e Lindjes që synojnë Evropën, pritet të bëjnë një dyndje të madhe drejt Shqipërisë. Për shkak të motit të ftohtë , ata do të ndërmarrin lëvizjen e tyre përmes një trajektoreje më të ngrohtë, nga jugu, përmes Shqipërisë në gadishullin Prevlaka në bregdetin jugor të Kroacisë, transmeton Shekulli.