Sulltanja me të bijën, të zhytura në mjerim

  • 04 October 2015 - 19:35
Sulltanja me të bijën, të zhytura në mjerim

Ka vetëm një shtrat ku fle me vajzën

“Këtu jetoj që 12 vjet, burri më ka vdekur dhe jetoj vetëm me vajzën 12-vjeçare. Kushtet, në të cilat jetojmë këtu, janë tejet të rënda.  Hyn uji, të ftohtët, baraka këtu është e lagësht dhe prapë në po jetojmë brenda saj, pasi që nuk kemi ku të shkojmë”, ka thënë Sulltane Makolli nga komuna e Obiliqit

Që 12 vjet jeton në barakë, mirëpo asnjëherë nuk kishte pasur ndryshime, edhe pse vizita kishte pasur mjaft shumë si nga zyrtarë komunalë, ashtu edhe të tjerë, të cilët i kishin premtuar se do ta ndihmonin, por nuk kishte ndodhur një gjë e tillë. Tani ajo jeton e vetme me të bijën në ato baraka pothuajse të rrëzuara e në kushte tejet të rënda. E veshur me disa rroba të leckosura, me një shami mbi kokë është kjo Sulltane Makolli nga komuna e Obiliqit, e cila tregon gjendjen e vështirë me të cilën përballet çdo ditë. “Këtu jetoj që 12 vjet, burri më ka vdekur dhe jetoj vetëm me vajzën 12-vjeçare. Kushtet në të cilat jetojmë këtu janë tejet të rënda. Kur ka ujë, hyn brenda, të ftohtët, baraka këtu është e lagësht dhe prapë në po jetojmë brenda saj, pasi që nuk kemi ku të shkojmë”, ka thënë ajo.

Lagështia paraqet rrezik për familjarët

Teksa fliste, mundohej të rregullonte disa gjëra në atë barakë, pasi që i kishte të shpërndara nëpër dysheme, mirëpo nuk kishte ku t’i vendoste, sepse i mungonin shumë gjëra. “Këtu mungojnë shtretërit, mungojnë orenditë, e shumë gjëra të tjera. Rrobat nuk kam ku t’i lë vetëm nëpër tokë. Po ashtu një dhomë e kam, mirëpo muri i saj është shembur pas shpërthimit të termocentralit e jam munduar disi ta rregulloj, por e kotë. Tani e kam vetëm një shtrat ku fle me vajzën, sepse nuk kam ku të fle tjetërkund”, ka theksuar Sulltanja. Ajo pothuajse më shumë se gjysmën e ditës mbeste vetëm në atë barakë, pasi që vajza e saj ishte në shkollë. “Kështu mbes e vetme duke u munduar t’i rregulloj gjërat. Vajza shkon në shkollë po duhet t’ia paguaj rrugëtimin, sepse shkollën e ka larg. Po ashtu një kohë të gjatë ka qenë e sëmurë nga mushkëritë dhe ka pasur anemi. Ka përdorur terapi të gjatë me barna dhe mjekët i thoshin e ka nga lagështia dhe i ftohti. Po si mos të sëmuret, kur kushtet këtu janë katastrofale”, shprehet ajo, duke venë duart në fytyrë. E nuk është vetëm lagështia ajo që paraqet rrezik për këtë familje, pasi që në barakë u janë shfaqur edhe zvarranikë. “Këtu ka edhe minj të mëdhenj, që dalin nga toka, sepse dyshemeja e barakës është prishur. (Më gjerësisht mund t'a lexoni në numrin e sotëm të gazetës KOSOVA SOT)