Politika e varrosi drejtësinë

  • 06 October 2015 - 07:41
Politika e varrosi drejtësinë

Degradimi i prokurorive dhe gjykatave

Pushtetarët kriminelë amnistohen, qytetarët diskriminohen

Sipas profesorit Muhamet Kelmendi, nuk mund të pritet asgjë nga drejtësia aktuale, pasi ajo komandohet nga sistemi politik, me qëllim që të amnistohen të inkriminuarit e politikës

Krimi i organizuar dhe korrupsioni e kanë mbërthyer Kosovën, ndërkaq lufta ndaj tyre ka dështuar. Kjo për arsye se protagonistët e këtyre fenomeneve janë në majat më të larta të politikës dhe jo vetëm dhe në këtë mënyrë po bëhen pengesë për të çliruar Kosovën nga krimi i organizuar dhe korrupsioni, që tashmë janë bërë praktikë. Forcimi dhe pasurimi i organizatave kriminale pas luftës e ktheu Kosovën në vendin që qytetarët  kërkojnë çdo ditë e më shumë ta braktisin. Për më tepër. krimi i orientuar në privatizimin e ndërmarrjeve shoqërore, duke hedhur kështu në rrugë mijëra e mijëra punonjës, për t’i dhuruar ato në duart e politikës, nëpërmjet kompanive të caktuara, të cilat në mjaft raste pronarët e kanë vetëm emrin, pasi përfitimet ndahen në mesin e politikanëve. Përballë kësaj situate, ku mbretëron krimi, janë organet amatore të drejtësisë dhe rastet më të ndjeshme kanë mbetur pa u zbardhur apo janë mbyllur, pavarësisht provave dhe fakteve që dikush ka guxuar t’i mbledhë. Mund të përmendim këtu rastin e procesit gjyqësor të ‘Dardafon’-it, i cili u mbyll dhe për më tepër Prokuroria e EULEX-it hodhi poshtë punën e saj pa bërë asnjë ankesë, është rasti i hetimeve të Fabrikës së amortizatorëve që po zvarritet që nga viti 2011, e mjaft raste të tjera privatizimesh, apo edhe grabitja e dhomave të dëshmive në polici, që sot e kësaj dite kanë mbetur pa u zbardhur. Politika zgjedh gjyqtarët, prokurorët, policët, por deri më sot asnjëri prej tyre nuk kanë pasur kurajën që ta pranojnë një gjë të tillë. Pushteti në asnjë moment nuk i ka larguar duart nga hetimet në rastet e ndjeshme. Kjo u vërtetua më së miri dhe me fshehjen e dosjes në rastin e ish-kryegjyqtarit të Kushtetueses, Enver Hasani. Ndërkaq, në anën tjetër të kufirit, dikush ka gjetur guximin që të pranojë se për korrupsionin në drejtësi dhe për mbajtjen peng të hetimeve në rastet e ndjeshme firmosin politikanët... (Më gjerësisht mund t'a lexoni në numrin e sotëm të gazetës KOSOVA SOT)