Më shumë kërkesa për ndihma sociale

  • 06 October 2015 - 15:09
Më shumë kërkesa për ndihma sociale

Më pak të ardhura për kokë banori

“Është një papërgjegjësi totale e atyre që e kanë marrë kompetencën ta qeverisin vendin dhe nuk merren fare me qytetarët, por merren me marrëveshjet me Serbinë”, ka theksuar Shatri

Në Kosovë norma kombëtare e varfërisë është e lidhur me papunësinë e lartë, prandaj nuk pritet të përmirësohet ndjeshëm gjatë periudhës 2015-2017, thuhet në raportin e fundit të Bankës Botërore. Më tej shpjegohet se papunësia mbetet e lartë për shkak se nuk mund të ofrohen vende pune për të gjithë ata të cilët janë të interesuar. Ndërsa, bazuar në të dhënat e Ministrisë së Punës dhe Mirëqenies Sociale bëhet fjalë për një ngritje të numrit të familjeve, të cilat po kërkojnë ndihmë sociale. Sipas udhëheqësit të Divizionit të ndihmave sociale në Ministrinë e Punës dhe Mirëqenies Sociale, Fehmi Ibrahimi, merret vesh se numri i shfrytëzueseve të ndihme sociale në muajin që e lamë pas është gati i njëjtë me atë të dhjetorit të vitit të kaluar. ”Në dhjetor të vitit 2014 numri i familjeve (shfrytëzuesve) në ndihmë sociale kanë qenë 27.380 familje, me 113.842 anëtarë të familjes, ndërsa tani, aktualisht në muajin shtator 2015, në regjistrin e shfrytëzuesve (familjeve) në ndihmë sociale është 27.606 familje, me 115.231 anëtarë të familjes. Pra, ka një ngritje të lehtë prej +217 familje”, ka theksuar ndër të tjera Ibrahimi.

Shatri: Qeveria nuk po merret me përmirësimin e standardit jetësor të qytetarëve

Sipas ekspertit të ekonomisë, Haki Shatri, gjendja e vështirë ekonomike e familjeve, si pasojë e papërgjegjësisë institucionale, ka ndikuar që të rriten kërkesat për ndihmë sociale.”Popullsia është duke u rritur, kurse zhvillimi i ekonomisë është më i ngadalshëm”, ka theksuar ai, duke shtuar se norma e rritjes së GDP-së është për 09 për qind, shtimi i popullsisë 1.4 për qind, i bije se në krahasim me vitin e kaluar, këtë vit për kokë banori ka më pak të ardhura. Shatri ka thënë më tej se popullsia përgjithësisht është duke u varfëruar. ”Trendi i shifrave është negativ për kokë banori, që është edhe indikatori më i sigurt i matjes  së standardit dhe i zhvillimit ekonomik”, ka theksuar Shatri. Ndryshe, sipas tij, për gjendjen e rënduar ekonomike, me tendencë përkeqësimi, përgjegjësia u bie atyre që i kanë marrë përgjegjësinë që të menaxhojnë shtetin, pasurinë kombëtare, buxhetin.  (Më gjerësisht mund t'a lexoni në numrin e sotëm të gazetës KOSOVA SOT)