Haradinaj mobilizon anëtarësinë e vetë për protesta

  • 06 October 2015 - 15:43
Haradinaj mobilizon anëtarësinë e vetë për protesta

Opozita kosovare vazhdon të këmbëngul në kundërshtimin e formimit të Asociacionit të komunave me shumicë serbe (siç e quajnë ata, “Zajednices”) dhe të demarkacionit të kufirit me Malin e Zi, duke paralajmëruar se do të shfrytëzoi të gjitha format e kundërshtimit, nga bllokimi i punës së Parlamentit, nënshkrimi i peticionit e deri, nëse është nevoja, protestat gjithëpopullore. Se partitë opozitare, pavarësisht sugjerimeve ndërkombëtare se nuk bënë të bllokohet parlamenti i Kosovës, nuk e kanë ndërmend të ndryshojnë strategji, e konfirmoi të martën edhe lideri i Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës, Ramush Haradinaj, në Gjakovë, ku u takoi me anëtarësinë e kësaj partie por edhe me qytetarë të tjerë, raporton gazetari i Gazetës Kosova Sot.

“Qeveria aktuale e Kosovës nuk po mundët me krijua vlerë të re qeverisëse, nuk po mundët me realizua lëvizje pozitive në ekonomi, me hap më shumë vende të punës, nuk po munden me i dhënë mbështetje investimeve kapitale. Me një fjalë nuk po munden më bë asgjë pozitive në të gjitha ato aspekte që kishin mundur me e ngjallë jetën e kosovarëve dhe me iu hap atyre një perspektivë më të ndritshme. Gjatë kësaj qeverisje kanë ndodhur shumë dëme për njeriun tonë, një pjesë e konsiderueshme e të cilave janë larguar nga Kosova duke rrezikuar madje edhe jetën gjatë emigrimit ilegal. Jemi dëshmitarë e falimentimit respektivisht të bankrotimit të shumë ndërmarrjeve ekonomike, kompanive të mëdha apo atyre të mesme e të vogla” ka thënë Haradinaj në Gjakovë,. i cili duke folur për situatën e krijuar aktualisht me bllokimin e punës së Parlamentit të Kosovës, ka potencuar se kjo që ka ndodhur me “Zajendicën” dhe me demarkacionin e kufirit me Malin e Zi, vetëm sa e ka rritë numrin e gjërave të këqija që kjo qeveri i ka bërë në dëm të popullit të vetë.

“Dështimit në planin ekonomik të kësaj qeverie iu ka bashkua edhe dështimi në planin e rendit dhe ligjit. Të gjitha këto janë argumente të mjaftueshme me e shpreh një pakënaqësi deri te një revolt gjithë popullore. Por qeveria u kujdes që e keqja të mos ngel me kaq, pasi janë disa vendimet e fundit që i vënë kapak gjithë kësaj të keqe. Fjala është për nënshkrimin e marrëveshjes për themelimin e asociacionit të komunave serbe dhe të demarkacionit, shënimit të kufirit me Malin e Zi, kur në mënyrë të çuditshme i jepet një pjesë e territorit të Kosovës fqiut tonë. Përmes formimit të asicioacionit të komunave ën mënyrë absurde provohet të formohet një mini-shtet brenda shtetit. Këto vendime e kanë sjellë situatën vërtet në pikë kritike. Ne si parti, së bashku me spektrin politik opozitar e kemi vendosur mos me lejua me hy në fuqi këto marrëveshje. Pengimi i realizimit të këtyre marrëveshjeve, në një mënyrë nënkupton edhe pengimin e funksionimit të këtij koalicioni jo funksional, sepse këto dy çështje nuk mund të ndahen. Veprimet e tona nuk janë të lehta buile mund të mos jenë edhe simpatike për një pejsë të popullit, por jemi të detyruar të veprojmë kështu, sepse pasojat nga kjo qeverisje e Kosovës mund të jenë shumë të rënda. Kemi vepruar në parlament, vazhdojmë peticionin e do të vazhdojmë edhe me protesta deri sa të mos ndalet ky koalicion i dëmshëm për Kosovën. Ndalja e këtij koalicioni nuk është qëllim në vete, por ka për qëllim krijimin e kushteve për një fillim të ri, fillim të një rruge zhvillimore i cili është i pamundshëm me këtë qeveri” ka thënë Ramush Haradinaj para anëtarësisë së AAK-s në Gjakovë, në një takim që kishte karakterin mobilizues para veprimeve të reja që parasheh të ndërmarr opozita kosovare për të kundërshtua veprimet e fundit të Qeverisë së Kosovës.

(Kosova Sot)