Krasniqi: Veseli mund ta thërrasë policinë për të zhbllokuar Kuvendin

  • 06 October 2015 - 17:51
Krasniqi: Veseli mund ta thërrasë policinë për të zhbllokuar Kuvendin

Ish-Kryetari i Kuvendit të Kosovës, Jakup Krasniqi ka fajësuar koalicionin qeverisës për bllokimin e Kuvendit, edhe pse këtë janë duke e bërë partitë opozitare. Krasniqi ka bërë me gisht edhe në drejtim të Kryeparlamentarit Kadri Veseli, i cili sipas tij nuk po e shfrytëzon rregulloren e punës për të siguruar mbarëvajtjen e seancës.

Krasniqi  ka thënë se Veseli nuk po shfrytëzon si duhet pozitën dhe rregulloren e Kuvendit. Ai ka thënë se Kryeparlamentari mund të kërkojë masa shtesë të sigurisë në Kuvend.

“Me rregullore të Kuvendit lejohet që të thirren policia dhe të bëhet sigurimi i Kuvendit. Këtë mund ta bëjë edhe Veseli nëse e shfrytëzohen dhe interpreton ashtu siç duhet rregulloren. Aty thuhet se mund të thirren edhe policia për të siguruar mbarëvajtjen e seancës. Por, tani Veseli po bën interpretime siç po i konvenon”, ka thënë Krasniqi.

Ish-Kryeparlamentari po ashtu ka thënë se Kadri Veseli është duke u treguar tepër liberal. Krasniqi ka fajësuar koalicionin për bllokadën.

“Opozita nuk është edhe fajtore për këtë situatë. Kjo është krijuar nga qeveria dhe pozita. Ata janë duke bërë këtë bllokada”, ka thënë Krasniqi për Express.

Krasniqi ka thënë se për herë të parë në Kosovës opozita është e bashkuar dhe sipas tij veprimet e tyre janë për të mirën e Kosovës.