Studentët nuk e dinë pse po protestojnë

  • 06 October 2015 - 21:05
Studentët nuk e dinë pse po protestojnë

Kosova që nga e mërkura do të përballet edhe me një bllokim tjetër. Tani do të nisë bllokimi i fakulteteve të Universitetit të Prishtinës, ka paralajmëruar Parlamenti Studentor.

Të martën kanë protestuar para Rektoratit, ndërkaq protestën do ta vazhdojnë duke bllokuar me trupat e tyre njësitë akademike, raporton KTV.

Të njëjtit kanë nënshkruar edhe një peticion që po i prin Bujar Dugolli, dekan i Fakultetit Filozofik. Kërkesa e tyre kryesore është që viti akademik t’i ketë pesë afate për nënshtrim provimesh, e jo tre.

Protestës të Parlamentit të Studentëve i është bashkuar edhe Grupi i Pavarur i Studentëve.

Shkurt rektori Ramadan Zejnullahu i ka thënë KTV-së se nuk do të flasë në këtë kohë për media, por i sheh të arsyeshme disa nga kërkesat, për të cilat do të reflektojë ditët në vazhdim.

Ai ka dërguar një letër gjatë ditës, ku i është kundërpërgjigjur kërkesës së senatorëve për shkarkimin e tij. Ka thënë se Universiteti nuk guxon të jetë peng i grupeve që synojnë ta rrënojnë progresin në UP.