Vazhdojnë reagimet kundër Zemajt, kërkohet veprim i organeve kompetente

  • 06 October 2015 - 22:23
Vazhdojnë reagimet kundër Zemajt, kërkohet veprim i organeve kompetente

Ismet Kryeziu, nga Instituti Demokratik i Kosovës (KDI), ka reaguar ndaj pohimit të deputetit të LDK-së, Armend Zemaj se ai ka gjuajtur në drejtim të opozitës gotën e qelqit.

Kryeziu ka thënë se ndaj këtij veprimi duhet të reagojnë edhe kryeministri, kryetari i Kuvendit dhe Grupi Parlamentar i LDK-së, pasi me këtë gjest është rrezikuar jeta e dikujt.

Më poshtë mund të lexoni postimin e plotë të Kryeziut në Facebook:

Armend Zemaj, deputet nga radhët e LDK-së ka pranuar publikisht, se ka gjuajtur deputetët e opozitës me gotë qelqi.

Të rrezikosh jetën e e tjetrit, jo vetëm që nuk është veprim parlamentar, por është i sanksionuar dhe i dënuar si veprim.

Veprimi i Zemaj-t, duhet të nxisë veprimin e organeve kompetente, por dhe reagimin e distancimin nga ana e Kryetarit të Kuvendit, Kryeministrit të Kosovës dhe Grupit Parlamentar të LDK-së.

Dy të parët e këtyre institucioneve kryesore në vend, me kompetencën dhe fuqinë institucionale, kanë privilegje që të kanë jetën e tyre shumë më të garantuar, për dallim nga deputet apo dhe ministrat. Por ata veçmas privilegjeve kanë dhe përgjegjësi, për të garantuar jo vetëm jetën e tyre personale, por dhe të deputetëve e të qytetarëve.

Pushteti dhe të gjithë mekanizmat shtetërorë duke përfshirë dhe deputetët e partive shumicë, duhet të garantojnë jetën dhe veprimtarinë e deputetëve të opozitës.