Ja pse Donald Trump-i është kandidati i preferuar i Vladimir Putin-it

  • 06 October 2015 - 22:42
Ja pse Donald Trump-i është kandidati i preferuar i Vladimir Putin-it

Donald Trump i ka kaluar disa muajt e fundit në krye të sondazheve për garën për nominimin për kandidat të Partisë Republikane për Zgjedhjet Presidenciale që do të mbahen vitin e ardhshëm. Megjithatë, përkundër faktit që ai ka bërë një të arritur kaq të madhe, duke ia dëshmuar të gjithëve që nuk është ai kandidati i pagjasa, siç ishte menduar në fillim, ai vazhdon ta mos e ketë miratimin e partisë së tij, transmeton agzeta Kosova Sot Online.

Gëzon popullaritet të madh jashtë vendit të tij

Mirëpo, ndonëse partia e tij nuk e do për kandidat, pasi që zyrtarët e partisë së vjetër amerikane janë pothuajse të bindur që do t’i humbnin zgjedhjet e përgjithshme, në rast se përfaqësues i tyre do të ishte Trump-i, për shkak të qasjes së këtij të fundit ndaj grupeve të caktuara në SHBA, kryesisht meksikanëve që kanë imigruar në SHBA, Trump-i gëzon popullaritet të madh jashtë vendit të tij, duke qenë, pa asnjë dyshim, kandidati i preferuar i presidentit rus, Vladimir Putin. Kjo gjë është dëshmuar edhe nga marketingu i madh që i është bërë miliarderit amerikan në mediet ruse, që kryesisht kontrollohen nga Kremlini, që prej kohës kur Trump-i kishte thënë: “Shikoni se çka kemi bërë në Libi, vendi është shkatërruar. Më pas lë të shohim se çka kemi bërë në Irakun e Saddam Hussein-it, është një katastrofë e madhe”.

Sulmet në Siri

Mediet ruse kanë qenë të shpejta për ta përdorur këtë fjalim të tij për ta mbështetur kampanjën e tyre të re ushtarake në Siri, që ishte paralajmëruar nga vetë presidenti rus, Vladimir Putin, i cili iu kishte bërë thirrje të gjitha shteteve që t’i bashkoheshin Rusisë në kauzën e përbashkët për luftimin e Shtetit Islamik. Megjithatë, shtetet perëndimore e kanë parë me skepticizëm këtë lëvizje të tij, dyshim ky që në një farë mënyre është vërtetuar edhe nga sulmet e para të Rusisë në Siri, që për cak nuk kanë pasur hapësirat e kontrolluara nga ISIS-i, mirëpo ato nga rebelët, që po e luftojnë regjimin e Assad-it.

(Kosova Sot)