Kush e vrau Pablo Escobar-in?

  • 06 October 2015 - 23:31
Kush e vrau Pablo Escobar-in?

Më 2 dhjetor të vitit 1993, Pablo Escobar, tregtari më i pasur i drogës që ka jetuar ndonjëherë, kishte bërë përpjekje që të shkonte nga vendi ku fshihej në shtëpinë e tij në Medelin të Kolumbisë, nëpërmjet kulmit të një shtëpie të afërt. Mirëpo, në vend se të mbërrinte në shtëpinë e tij, ai ishte bërë cak i një breshërie plumbash, që e kishin shtrirë përtokë trupin e tij të pajetë e të përgjakur, në vendin që dikur kishte qenë vendi më i sigurt për mbretin e drogës. Për vrasjen e tij ishin lavdëruar një grup i trupave kolumbiane, për të cilët ishte thënë që ia kishin dhënë Escobar-it drejtësinë të cilën e kishte shmangur për kaq shumë kohë, mirëpo rivalët e Pablo-s sikurse edhe disa anëtarë të grupit të tij famëkeq, bashkë me familjarët e tij pretendojnë që ushtarët shtetërorë mund të mos kenë përgjegjësi për vrasjen e Padronit.

Blloku i Kërkimit

Në fund të vitit 1989, pas një sërë vrasjesh të kryera nën urdhrat e Escobar-it, presidenti i atëhershëm i Kolumbisë, Virgilio Barco, kishte krijuar një njësi speciale të forcave policore, për t’u vënë në kërkim të mbretit të drogës dhe kartelit të tij të rrezikshëm. Andaj, sipas kësaj teorie thuhet se kanë qenë pjesëtarët e kësaj njësie, që ndryshe është njohur si Blloku i Kërkimit, ata që më 2 dhjetor të vitit 1993, vetëm një ditë pas ditëlindjes së Escobar-it, e kishin vrarë Padronin nëpërmjet një breshërie plumbash.

‘Los Pepes’

Në janar të vitit 1993, sipas librit të Mark Bowden-it, ‘Vrasja e Pablo-s’, ishte krijuar një grup i ri për ndjekjen e Escobar-it. “Të Persekutuarit nga Pablo Escobar” (Los Pepes), ka qenë një rup i përbërë nga rivalët në trafikimin e drogës, paramilitarët dhe njerëzit e tjerë të Medelinit, që në një formë apo tjetër janë prekur nga agresiviteti i Pablo-s. Sipas dokumenteve të CIA-s, ky grup ka qenë i mbështetur financiarisht nga karteli tjetër i drogës, rivali më i madh i kartelit të Escobar-it, karteli ‘Cali’ dhe nëpërmjet bashkëpunimit, kishte filluar një kampanjë kundër Kartelit të Medelinit, që në pikën më të lartë të veprimit vriste nga mesatarisht gjashtë njerëz të Kartelit Medelin çdo ditë, përfshirë këtu edhe menaxherë të profilit të ultë, avokatë të Escobar-it dhe burrështetas, që ishin korruptuar nga Padroni. Ka shumë zëra që pretendojnë se ka qenë pikërisht ky grup që ia ka marrë jetën edhe vetë Pablo-s.

Dyshimet për vetëvrasje

Një tjetër teori në lidhje me vrasjen e Escobar-it thotë që Pablo është vetëvrarë në kulmin e shtëpisë. Ai që pretendon që një gjë e tillë ka ndodhur është pikërisht i biri i tij, Juan Pablo Escobar Henao, që më pas e ka ndërruar emrin për t’u quajtur Sebastián Marroquín, që insiston se babai i tij ka bërë vetëvrasje, para se të binte në duart e autoriteteve.

(Kosova Sot)