Ministrja shqiptare pritet pa flamurin kuqezi në Beograd

  • 06 October 2015 - 23:37
Ministrja shqiptare pritet pa flamurin kuqezi në Beograd

Ministrja e Zhvillimit Urban të Shqipërisë, Eglantina Gjermeni, ishte sot në një vizitë zyrtare në Serbi, ku u prit nga ministrja serbe e Infrastrukturës, Zorana Mihajloviq. I pranishëm në këtë takim ishte edhe ambasadori shqiptar në Beograd, Ilir Boçka.

Krijimi i një sistemit elektronik të lejeve të ndërtimit dhe forcimi i bashkëpunimit mes dy shteteve, ishte thelbi i bisedimeve në Beograd mes dy ministreve.

Por ajo që u vu re gjatë takimit mes palëve, ishte se Gjermeni u prit në kryeqytetin serb pa flamurin kombëtar shqiptar.

Pavarësisht se zёvendёskryeministrja Mihajloviq gjatë fjalës së saj theksoi rëndësinë e forcimit të bashkëpunimit ndërmjet dy qeverive për marrëveshjen në Samitin e Vjenës, pritja e ministres shqiptare vërtetoi të kundërtën.

Edhe ministrja Gjermeni në fjalën e saj theksoi se qëllimi i përbashkët i Shqipërisë dhe Serbisë për t’u anëtarësuar në Bashkimin Evropian, forcon bashkëpunimin rajonal mes dy vendeve, raporton Shekulli.

Nuk dihet nëse ky është një incident diplomatik, apo një provokim i radhës nga pala serbe pak ditë para ndeshjes së shumëpritur Shqipëri - Serbi.