Tërhiqen studentët, mësimi nuk bllokohet deri të enjten

  • 07 October 2015 - 07:50
Tërhiqen studentët, mësimi nuk bllokohet deri të enjten

Studentët e Universitetit të Prishtinës, që disa prej tyre protestuan dje para rektoratit duke kërkuar realizimin e kërkesave të tyre, nuk do të bllokojnë sot njësitë akademike, siç thanë dje.

Pas deklarimit të rektorit të UP-së, Ramadan Zejnullahu, se do të realizohen disa prej kërkesave të studentëve, ata janë tërhequr dhe do të presin deri të enjten.

Këtë e konfirmoi Argjent Softolli, kryetar i grupit të Pavarur Studentor.

Ai, tha se të enjten do të mbahet edhe mbledhja e Këshillit Drejtues të UP-së, dhe si organi më i lartë.

Nëse nga mbledhja e Këshillit nuk dalin vendime për kërkesat që kanë studentët, Softolli thotë se do ndërmarrin atë që kishin planifikuar për ditën e sotme, bllokimin e njësive akademike.

Dje para rektoratit u mblodhën edhe ata që u përfaqësuan nga Parlamenti Studentor, por edhe ata të Grupit të Pavarur të Studentëve.

Kërkesat e tyre janë që të kthehen afatet e jashtëzakonshme, ai i tetorit të bëhet me dy provime, ashtu siç ka qenë, ulja e kritereve, kushti për të kaluar vitin e parë me minus tri provime, transmeton kp.

Ata gjithashtu kërkuan që të bëhet vlerësim objektiv dhe nëse duan të rrisin kriteret, atëherë ata kërkojnë që të rrisin edhe mundësitë.