Prezantohet hulumtimi "Politika e parasë"

  • 07 October 2015 - 08:00
Prezantohet hulumtimi

Organizata Çohu! dhe Qendra Kosovare për Gazetari Hulumtuese-Preportr organizojnë konferencën për media ku do të prezantohet hulumtimi: "Politika e parasë".

Në konferencë do të prezantohet hulumtimi mbi financimin e pesë partive politike kryesore në Kosovë. Ky hulumtim ka për qëllim të tregojë përfitimet në vlera monetare të financuesve të pesë partive politike. 

Në këtë hulumtim janë përfshirë bizneset (subjektet juridike) dhe personat që posedojnë biznese (subjektet fizike) të cilët kanë financuar subjektet politike me të holla ose në kontribute të natyrës në mall dhe shërbime.

Hulumtimi ka treguar se financuesit e partive politike kanë fituar kontrata publike në vlera qindra milionëshe. 

Hulumtimi përfshinë përfitimet e financuesve të partive politike për periudhën kohore gusht 2007- maj 2014. 

Në kuadër të hulumtimit janë analizuar rreth 1000 tenderë publikë, nga të cilët rreth 700 të nënshkruara nga Ministria e Arsimit Shkencës dhe Teknologjisë (MASHT), ish-Ministria e Transportit, Postës dhe Telekomunikacionit (MTPT) dhe Ministria e Infrastrukturës (MI), si dhe rreth 295 tenderë të tjerë të bazuar në një mostër me përzgjedhje të rastësishme dhe që përfshinë autoritete të ndryshme kontraktuese të nivelit qendror dhe lokal. 

Hulumtimi adreson këto çështje:

Cila parti politike ka përfituar më së shumti nga donatorët e jashtëm?

Cilët donatorë kanë përfituar më së shumti nga tenderët publikë?

Cila është marrëdhënia në mes partisë(ve) në pushtet dhe financuesve të saj/tyre?

Prej nga vijnë donatorët e partive politike, pra ku janë të koncentruar ata?

Cilat janë kompanitë që kanë përfituar më së shumti nga tenderët publikë?

Cilën parti politike e kanë financuar donatorët që kanë përfituar më së shumti tenderë publikë?

ë këtë konferencë, gjithashtu do të bëhen publike edhe tri databaza online të cilat do t’ju shërbejnë gazetarëve, hulumtuesve dhe studiuesve si mjet online për monitorimin dhe vëzhgimin e financave të partive politike dhe përfitimeve të donatorëve të tyre.

Databaza e parë përfshinë të dhëna për financimin e subjekteve politike gjatë viteve 2009-2012.

Databaza e dytë përfshinë lidhjet e biznesit me politikën, përkatësisht një vizualizim i të gjeturave  nga hulumtimi "Politika e parasë".

Databaza e tretë përfshinë të dhënat mbi nivelin dhe shtrirjen e politizimit të institucioneve publike –punësimi në poste të larta publike në baza partiake - nga anëtarë të partive politike.