Pejë: Arrestohen shtatë persona për vjedhje të rënda

  • 07 October 2015 - 10:48
Pejë: Arrestohen shtatë persona për vjedhje të rënda

Policia e Kosovës në rajonin e Pejës ka bërë të ditur se pas një pune operative dhe hetuese në identifikimin dhe kapjen e kryerësve të veprave penale të vjedhjeve të rënda që kanë ndodhur në zonën e Pejës, për një periudhë kohore, ka arritur të arrestojë shtatë të dyshimtë.

“Me datën 5.10.2015 kanë bërë të mundur kapjen e të dyshimtëve për mbi tridhjetë (30) vjedhje të rënda dhe ndaj tyre është ngritur kallëzim penal, gjithashtu për disa nga ta është caktuar edhe masa e ndalimit policor, por për një kohë të shkurtër (bazuar në Kodin e Procedurës Penale) kanë dalë para Gjykatës Themelore në Pejë.

Të ndaluar për një varg veprash penale të vjedhjes së rëndë (mbi 30 vjedhjesh) janë N. P. 1995 K/shqiptar, dhe gjashtë persona tjerë të moshës së re. Për të gjithë ka dëshmi dhe prova që i lidhin këta persona për këto raste të vjedhjeve. Njësitet policore të SP Pejë, përfshirë sektorët hetues, operativë dhe patrullues janë në intensitetin më të lartë të punës edhe për zbulimin e veprave tjera penale të ndodhura në zonën e Pejës, pasi që janë përpiluar plane dhe janë caktuar detyra konkrete që të parandalohen por edhe të zbulohen ato vepra që kanë ndodhë deri tani”, thuhet në njoftimin e PK-së.