PDK-ja e kriminalizoi privatizimin, favorizoi "Devollin"

  • 07 October 2015 - 18:20
PDK-ja e kriminalizoi privatizimin, favorizoi

Ekonomia e Kosovës, peng i mafiozëve dhe oligarkëve

Pasuria dhe asetet publike përfunduan në llogari të oligarkëve dhe pushtetarëve të inkriminuar

"Privatizimi nga AKP-ja ishte kontrolluar nga PDKja dhe kompanitë që i favorizonte kjo parti, në shkëmbim të financave për zgjedhje politike. Koncesionet më të mëdha në privatizim PDK-ja ia ka bërë kompanisë "Devolli", duke i dhënë ndërmarrje të mëdha shoqërore, por në të njëjtën kohë nuk ka lënë anash as dukuritë e nepotizmit dhe grupeve kriminale të veta", thotë për gazetën analisti i ekonomisë Mulaj

Të gjitha qeveritë e pasluftës në Kosovë kanë bërë malverzime të mëdha me pronat shoqërore. Sipas analistëve dhe deputetëve, nga kjo dukuri më së keqi e ka pësuar Komuna e Prishtinës, ku janë tjetërsuar me qindra hektarë të tokës në pronësi shoqërore në saje të ndihmës dhe lidhjeve që këta persona uzurpatorë i kanë pasur me njerëzit e politikës së korruptuar. Kryetari aktual i Komunës së Prishtinës, Shpend Ahmeti, publikisht kishte bërë thirrje për hetimin e tjetërsimit të pronave shoqërore dhe komunale. Ai pati deklaruar se Drejtoria e Kadastrës është një prej drejtorive më të rëndësishme në Komunën e Prishtinës dhe një prej drejtorive që në të kaluarën, potencialisht, i ka shkaktuar dëm të madh qytetit të Prishtinës. Kryetari Ahmeti pati thënë se janë disa procese të hetimit, që kanë të bëjnë me tjetërsime të pronave që arrijnë vlera të dhjetëra miliona eurove. Me gjithë pyetjet e dërguara, zyrtarët e Komunës së Prishtinës nuk janë përgjigjur se cila është hapësira e uzurpimeve dhe tjetërsimit të pronave të shtetit në kryeqytet.

AKP-ja, çerdhe e korrupsionit

Ish-ministri i MTI-së, Ismet Mulaj, tha se kjo dukuri në Kosovën e pasluftës është shumë masive, dhe se ka pasur kërkesa të mëdha që të hetohen këto afera në Komunën e Prishtinës. "Dihet se një pjesë e madhe e pronave shoqërore janë kthyer kundërligjshëm në prona private dhe këto krejt nëpërmes gjykatave paralele serbe në Serbi", tha ai. "Nëse do të kishte hetim të mirëfilltë dhe një prokuror të aftë e të guximshëm, jam i bindur se shumë nga politikanët e sotëm dhe biznesmenët e sotëm do të gjendeshin prapa grilave. Kjo ngase është manipuluar shumë dhe është kriminalizuar shumë me pronën shoqërore", theksoi Mulaj. Sipas tij, gjithë këtyre marifetllëqeve i ka kontribuar edhe AKP-ja që ishte dhe është çerdhja e korrupsionit dhe krimit të organizuar e ndihmuar edhe nga gjykata, por gjithsesi edhe politika. "Fatkeqësia është se Prokuroria po fle mbi këto dosje të krimit dhe nuk po punohet në këtë drejtim asgjë. Pra, kjo po tregon se tek Qeveria e 'Isa Mustafës' po mungon vullneti për ta luftuar krimin dhe këtë duhet që ta bëjë dikush", thotë ai. "Agjencia e AKP-së po bëhen dy vite që është jofunksionale dhe e tëra kjo po bëhet qëllimisht nga mafio-politika e lidhur me grupet e mafio-bizneseve", theksoi Mulaj.

Grupet mafioze e kontrolluan privatizimin

Deputeti i Kuvendit të Kosovës, Bali Muharremaj, vlerëson se nuk ka fije dyshimi se nga paslufta e deri më sot janë bërë shumë dallavere me pronat shoqërore, duke i transformuar ato në prona private. Sipas tij, këto janë përvetësuar dhe janë vënë në shfrytëzim nga njerëz të afërt me politikanët e korruptuar. Muharremaj thotë se është vërtet për keqardhje që përballë gjithë këtyre të këqijave Prokuroria dhe gjyqësia e shtetit i kanë mbyllur sytë dhe po bëjnë sehir, sikurse të mos ketë ndodhur asgjë. "Sikur në shumicën e institucioneve të tjera, ku partnerët ndërkombëtarë e kanë bërë transferin e kompetencave tek vendorët, edhe në AKP është degraduar performanca për shkak të konflikteve të interesit ndërmjet grupeve politike dhe mafioze", tha ai. "Ajo që e dallon AKP-në nga institucionet e tjera, është se këtu pos parregullsive në privatizimin e pronës shoqërore dhe qeverisjen e ndërmarrjeve publike, grupet mafioze nuk hezituan për ta demonstruar forcën edhe publikisht", thotë deputeti Muharremaj. Ai shtoi se veprimtaria e AKP-së është përcjellë me akuza të shumta rreth emërimeve politike në bordin e saj, për parregullsitë në privatizim, siç janë kurdisjet e ofertave dhe favorizimi i oligarkëve të lidhur me partitë e caktuara politike në pushtet.

Strukturat e mafio-politikës duan njerëz të dëgjueshëm në AKP

Për analistin e ekonomisë, Hashim Rexhepi, ish-guvernator i BQK-së, moskompletimi i bordit të AKP-së është një problem shumë serioz që një kohë kaq të gjatë ka mbetur pa zgjidhje, në mënyrë që t'i shtyjë proceset ekonomike më tutje. Sipas tij, është momenti që të mbyllet kapitulli i aktivitetit të AKP-së, sepse tashmë pjesa më e madhe e procesit të privatizimit veçse ka përfunduar dhe institucionet duhet që të mendohen që të gjejnë ndonjë formë më të mirë të privatizimit dhe procesit të likuidimit. "Është e palogjikshme dhe nuk ka asnjë shpjegim përse bordi i AKP-së nuk po kompletohet dhe për çfarë interesash bo bëhet kjo zhagitje ", tha Rexhepi. Ndërsa analisti Isa Mulaj theksoi se ndonëse edhe gjatë mandatit të AKM-së nën UNMIK-un ka pasur parregullsi dhe shkelje të shumta ligjore gjatë privatizimit, kjo është intensifikuar dukshëm pas shpalljes së pavarësisë së Kosovës me transferin e kompetencave nga ndërkombëtarët tek vendorët dhe krijimit të Agjencisë Kosovare të Privatizimit. "Privatizimi që pasoi nga AKP-ja ishte kontrolluar nga PDK-ja dhe kompanitë që i favorizonte kjo parti, në shkëmbim të financave për zgjedhje politike dhe jo vetëm. Koncesionet më të mëdha në privatizim PDK-ja ia ka bërë kompanisë "Devolli", duke i dhënë ndërmarrje të mëdha shoqërore, por në të njëjtën kohë nuk ka lënë anash as dukuritë e nepotizmit dhe grupeve kriminale të veta", potencoi Mulaj. 

(KOSOVA SOT)