Gjysmë shekulli në barakë

  • 07 October 2015 - 19:11
Gjysmë shekulli në barakë

Të harruar nga Komuna dhe shoqëria

“Marr vetëm pensionin, ndërsa djali merr një ndihmë sociale. Mirëpo, me ato të ardhura po duhet blerë ushqim e gjëra të nevojshme dhe nuk po mundemi as të mendojmë për ndonjë gjë tjetër më të madhe”, tregon Rrahmani. Baraka në të cilën jeton ai është tejet e vjetër dhe kishte filluar të shkatërrohej, mirëpo prapë ata qëndronin aty

Kishte dalë në oborrin e barakës së tij dhe mundohej ta rregullonte thëngjillin të cilin ia kishin falur. Nganjëherë ulej e pushonte dhe thellohej në mendime e shikimin e kishte kah baraka në të cilën jeton me familjen e tij. Është ky Rrahman Dushi nga komuna e Obiliqit, i cili që nga vitit 1971 jeton në baraka. I zhgënjyer në pushtetin ky pensionist  sikur ka humbur të gjitha shpresat se një ditë do të vijnë ditë të mira për të dhe familjen e tij. “Jemi tetë anëtarë të familjes, unë, gruaja ime si dhe djali është i martuar e ka fëmijë. Në këto baraka jetojmë që nga vitit 1971 dhe kushtet në të cilat jetojmë janë tejet të vështira, saqë nganjëherë them se askush nuk do të mund të jetonte këtu”, ka thënë ai. Rrudhat në ballë sikur tregonin ato që kishte përjetuar Rrahmani shumë kohë më parë e që edhe sot po i përjeton. “Unë kam punuar mjaft shumë, e atëkohë e kemi pasur të vështirë nga regjimi, mirëpo edhe tani që jemi në liri të njëjtat gjëra. Unë nuk punoj se jam pensionist, mirëpo as djali im nuk punon, pasi që nuk po gjen punë, ka mbetur kështu duke u endur”, ka thënë ai.

 Të ardhurat sa për mbijetesë

Afër Rrahmanit luanin dy fëmijë, ishin aq të lumtur saqë nuk u bëhej vonë për atë se çka thoshte ai. “Këta janë fëmijët e djalit tim, janë të shëndoshë dhe të lumtur. Nuk e dinë se në çfarë gjendjeje jetojmë, dhe shpresoj të mos e kuptojnë këtë, pasi  do t’iu bëhet mendim i përditshëm. Ata tani shkojnë në shkollë dhe duan veshmbathje e gjëra të tjera, por e kemi shumë të vështirë t’ua plotësojmë ato dëshira”, thekson ai, duke shikuar fëmijët teksa luanin. E si t’ua plotësojnë dëshirat kur të ardhurat që merrnin ishin tejet të ulëta. “Marr vetëm pensionin, ndërsa djali merr një ndihmë sociale. Mirëpo, me ato të ardhura po duhet blerë ushqim e gjëra të nevojshme dhe nuk po mundemi as të mendojmë për ndonjë gjë tjetër më të madhe”, tregon ai. Baraka në të cilën jeton është tejet e vjetër dhe kishte filluar të shkatërrohej, mirëpo prapë ata qëndronin aty. Familja e Rrahmanit ka nevojë për ndihmë andaj numri ku mund ta kontaktoni për ta ndihmuar është: 044/479 512.   (Më gjerësisht mund t'a lexoni në numrin e sotëm të gazetës KOSOVA SOT)