Kosova do ta nënshkruajë MSA-në javën e ardhshme

  • 07 October 2015 - 20:27
Kosova do ta nënshkruajë MSA-në javën e ardhshme

Një zhvillim i madh dhe pozitiv për Kosovën pritet të ndodhë fillimin e javës së ardhshme.

Pasditen e 12 tetorit ose paraditen e 13 tetorit, në Bruksel, ka gjasë të nënshkruhet Marrëveshja për Stabilizim e Asociim mes vendit tonë dhe Bashkimit Evropian.

Ky akord që do të duhej të firmosej nga krerët e Qeverisë në Prishtinë dhe ata të selisë së BE-së, bëhet më herët sesa që ishte planifikuar për shkak të situatës më të fundit në Kosovë.

Megjithatë, mësohet se brenda Komisionit Europian ka dy opinione përsa i përket këtij zhvillimi.

I pari është se me këtë dhuratë që i bëhet Kosovës, Brukseli dëshiron të dërgojë sinjale të qarta se ka besim të plotë te qeveria aktuale se ajo është në rrugë të drejtë, të paktën sa i takon procesit të integrimit.

I dyti thotë se gjërat duhet peshuar mirë në këto ditë që kanë mbetur para nënshkrimit për shkak se ka dyshime nëse pas këtij akti Parlamenti i Kosovës mund të ratifikojë marrëveshjen në fjalë, duke ditur se ajo është ndërkombëtare dhe se për të janë të nevojshme dy të tretat e votave të deputetëve.

Me situatën aktuale të bllokadës në Kuvend diçka e tillë, sipas burimeve të Klan Kosovës, nuk është e sigurt se do të ndodhë.

Sidoqoftë, kryeministri Isa Mustafa do të qëndrojë në Bruksel këto ditë.

Atje, pos tij do të shkojë edhe homologu serb, Aleksandar Vuçiq.

Këta dy do të takohen mes vete, por pa shoqërimin e zëvendësve të tyre, Hashim Thaçi e Ivica Daciq.

Këta të dy nuk janë ftuar për fajin e serbit. Ai nuk është më i dëshiruar në Bruksel për shkak të deklaratave të javës së kaluar se Kosova është sikur ISIS-i, të cilat nuk janë mbështetur as nga shefi i tij, Vuciq.

Brukseli, siç i është thënë Klan Kosovës, pret që në takimin e dy kryeministrave të arrihet një akord për hapat e mëtutjeshëm që kanë të bëjnë me arritjen përfundimtare të marrëveshjes për normalizim të raporteve mes dy vendeve.

Ky lloj akordi i rëndësishëm ndërkombëtar besohet se do të arrihet në fund të tremujorit të parë ose deri kah mesi i tremujorit të dytë të vitit të kaluar.

Si shpërblim për këtë, Kosova, me MSA të nënshkruar, e fiton edhe liberalizimin e vizave, ndërsa që Serbisë i hiqen të gjitha pengesat në rrugën e saj drejt fitimit të statusit të vendit kandidat për anëtarësim në BE.